Franca ju kërkon qytetarëve të reduktojnë konsumin e energjisë elektrike

Operatori francez i rrjetit të energjisë RTE në një deklaratë ka paralajmëruar një mungesë të energjisë elektrike ditën e henë, si pasojë e valës së ftohtë që ka goditur Evropën.

RTE u kërkoi kompanive franceze dhe autoriteteve lokale që të reduktojnë konsumin e tyre të energjisë, veçanërisht midis orës 7 -10 të mëngjesit të së hënës. Gjithashtu u bëri thirrje familjarëve të reduktojnë përdorimin e pajisjeve shtëpiake.

RTE tha se konsumi i energjisë elektrike mund të arrijë në 73,000 megavat (MW) të hënën në mëngjes, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike mund të arrijë në 65,000 MW. Franca mund të importojë deri në 11,000 MW.

Operatori tha se nuk pret një ndërprerje të energjisë. /tiranapost