Franca prezanton shërbimin ushtarak vullnetar

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron zbuloi të mërkurën detajet e programit të ri të shërbimit ushtarak vullnetar që do të hyjë në fuqi nga vera e vitit 2026, transmeton Anadolu.

“Shërbimi i ri kombëtar do të zbatohet gradualisht, duke filluar nga vera e ardhshme”, tha Macron gjatë vizitës në Brigadën e 27-të të Këmbësorisë Malore në qytetin juglindor të Varces. Ai tha se ata synojnë të forcojnë lidhjen midis kombit dhe forcave të armatosura, të përforcojnë kapacitetin e Francës për rezistencë dhe të konsolidojnë trajnimin e të rinjve.

Macron riafirmoi se shërbimi kombëtar do të përfshijë vetëm vullnetarë, të përbërë nga burra dhe gra të reja të moshës rreth 18-19 vjeç. Megjithatë, ai paralajmëroi se “në rast të një krize të madhe”, parlamenti mund të autorizojë thirrjen jo vetëm të vullnetarëve, por edhe të atyre, aftësitë e të cilëve janë identifikuar.

“Në këtë rast, shërbimi kombëtar do të bëhet i detyrueshëm”, shtoi Macron. Sipas tij, shërbimi kombëtar është i frymëzuar nga praktikat e partnerëve të tjerë evropianë, “veçanërisht Norvegjisë”. Ai tha se Forcat e Armatosura do të specifikojnë kushtet sipas të cilave mund të dorëzohen aplikimet, duke filluar nga mesi i janarit 2026.

“Vullnetarët do të zgjidhen nga forcat e armatosura, të cilat do të zgjedhin midis tyre ata që janë më të motivuar dhe që i plotësojnë më së miri nevojat e tyre. Ata do të shërbejnë nën statusin ushtarak dhe do t’u sigurohet uniformë, pagë dhe pajisje”, shpjegoi më tej Macron.

Presidenti francez tha se vullnetarët do të shërbejnë për 10 muaj, gjatë të cilëve do të marrin trajnim në përdorimin e armëve, marshimin dhe stërvitjet në terren. “Të rinjtë tanë, e them këtë qartë, do të shërbejnë në territorin kombëtar dhe vetëm në territorin kombëtar”, thekson Macron.

Ai nënvizoi se 3.000 persona do të zgjidhen fillimisht në verën e vitit 2026, me numrin që do të rritet progresivisht për të arritur në 10.000 rekrutë deri në vitin 2030. “Ambicia që kam për Francën është të arrijë 50.000 të rinj deri në vitin 2035. Kjo do të duhet të përshtatet sipas evolucionit të kërcënimeve”, shtoi Macron.

“Programi do të financohet përmes përditësimit të Ligjit të Programimit Ushtarak 2026-2030, i cili siguron buxhet shtesë prej mbi 2 miliardë eurosh”, tha ai.