Franca thellësisht e shqetësuar nga sulmet e Izraelit kundër qytetit Rafah

Franca ka shprehur shqetësim të thellë nga sulmet izraelite kundër qytetit Rafah të Rripit të Gazës në të cilin janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Francës thuhet se qyteti Rafah i Gazës në kufi me Egjiptin është një “pikë kalimi jetik” për dërgimin e ndihmave humanitare për popullatën e rajonit dhe një zonë ku janë strehuar mbi 1.3 milion palestinezë.

Në deklaratë vihet në dukje se operacionet me përmasa të gjera të Izraelit kundër Rafah do ta çojnë katastrofën aktuale humanitare në një dimension të ri. Në deklaratë tërhiqet vëmendja se kjo do të krijojë situatë jolegjitime dhe bëhet thirrje për ndalimin e konfliktit.

Më tej thuhet se Franca ashtu si në çdo vend tjetër edhe në Gaza është kundër zhvendosjeve të detyruara, të cilat janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Franca është pro zgjidhjes me dy shtete, theksohet në deklaratën ku shtohet se “E ardhmja e Rripit të Gazës dhe e popullit të saj mund të jetë e mundur vetëm në një shtet palestinez që jeton përkrah Izraelit në paqe dhe siguri”.

Në një deklaratë më 9 shkurt nga Zyra e kryeministrit izraelit u theksua se Netanyahu ka udhëzuar ushtrinë dhe agjencinë e sigurisë për kryerjen e sulmit në jug të Rripit të Gazës dhe për përgatitjen e planit të nevojshëm për zhvendosjen e rreth 1.5 milion palestinezëve që janë strehuar aty.

– Qyteti Rafah

Qyteti Rafah i cili ndodhet në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin, me strehimin e qindra mijëra njerëzve të zhvendosur në qytet për shkak të sulmeve izraelite pret afërsisht gjysmën e popullsisë së Gazës, e cila ka një popullsi prej 2.3 milionë banorësh.

Forcat izraelite shënjestrojnë shpesh me sulme ajrore qytetin Rafah. Ka shqetësim se civilët nuk do të kenë strehë në Rripin e Gazës nëse Izraeli do të nisë sulm tokësor në qytetin Rafah.

Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, përfshirë të paktën 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra janë vrarë 28.176 palestinezë si dhe janë plagosur 67.784 të tjerë.

Nën rrënoja ende ndodhen mijëra palestinezë të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilët është strehuar popullata.