Deputetit të zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje do t’i lejohet shkuarja në Kuvend për t’u regjistruar si deputet dhe për të marrë pjesë në seancën konstituive më 3 gusht.
Kërkesa e tij është aprovuar nga Gjykata, e cila merret me rastin e Krasniqit, të cilit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak qe pothuajse një vit.
Kërkesa e tij nga gjyqtari Beqir Kalludra është pranuar sot, raporton Periskopi, derisa regjistrimin do të bëjë të premten.
“Të akuzuarit Frashër Krasniqi i lejohet që me datë 28.07.2017 prej orës 09:00- 15:00 dhe me datë 3 gusht prej orës 08:00 deri në përfundim të mbledhjes, largimi nga vendbanimi i tij për shkak të shkuarjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tu regjistruar si deputet dhe marrës pjesë në seancën parlamentare”, thuhet në urdhëresë.
“Nëse i akuzuari nuk vepron në pajtim me këtë urdhëresë, të njëjtit do t’i caktohet menjëherë masa e paraburgimit”, thuhet në urdhëresën e gjyqtarit Kalludra.