Fundosja e anijes në Libi, shpëtohen 14 migrantë

Së paku 14 migrantë janë shpëtuar pas fundosjes së anijes me 100 persona në lindje të Tripolit në Libi, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i forcave detare, Eyup Kasim, konfirmoi se ekipe në terren kanë shpëtuar 14 persona nga anija e cila ishte fundosur. Ende nuk dihet se prej cilave vende janë migrantët që në mënyrë ilegale tentuan të arrijnë në disa prej vendeve evropiane.

Kasim tha se anija u fundos në bregun lindor të Tripolit. Sipas burimeve lokale dhe ndërkombëtare, në Libi gjenden migrantë prej 24 vendeve. Rreth 95 për qind e tyre janë banorë të vendeve afrikane të cilët përmes Mesdheut tentojnë të arrijnë në Evropë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në rrugën e rrezikshme migratore në Mesdhe këtë vit jetën e kanë humbur së paku 785 migrantë.

Flota libiane pohon se vitin e kaluar shpëtuan afër 16.000 migrantë në rrugë.