Futbollistja Florijana Ismaili zhduket në liqenin Como të Italisë

Lojtarja e kombëtares së Zvicrës në futboll për femra Florijana Ismaili është zhdukur në një liqen në veri të Italisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Klubi i futbollit Young Boys nga Berni, për të cilin luan 24-vjeçarja me origjinë nga Presheva, njoftoi se ajo është zhdukur pas aksidentit që ndodhi të shtunë në liqenin Como në Lombardia.

“Hetimet policore janë në vijim e sipër. Jemi shumë të shqetësuar dhe nuk kemi humbur shpresat se e gjithë kjo do të përfundojë mirë”, njoftoi klubi zviceran i futbollit për femra.

Klubi konfirmoi se janë në kontakt me anëtarët e familjes së sportistes së zhdukur.

Agjencia italiane e lajmeve Ansa raporton se Ismaili kishte huazuar një anije me një shoqe. Pretendohet se ajo është zhytur në liqen dhe më nuk është parë.