Gantz dhe Abbas bisedojnë për situatën gjatë muajit të Ramazanit

Në njoftimin e zyrës izraelite për media theksohet se ministri Gantz i tha presidentit Abbas se “Ramazani duhet të jetë një muaj paqeje dhe qetësie, jo një periudhë e shqetësuar nga terrorizmi”

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, për situatën gjatë muajit të Ramazanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e zyrës izraelite për media theksohet se ministri Gantz i tha presidentit Abbas se “Ramazani duhet të jetë një muaj paqeje dhe qetësie, jo një periudhë e shqetësuar nga terrorizmi”.

Duke kujtuar se 11 izraelitë kanë humbur jetën gjatë sulmeve në dy javët e fundit, Gantz shtoi se Izraeli “do të marrë masat e nevojshme për të parandaluar sulmet e mundshme dhe për të mbrojtur qytetarët e tij”.

Gantz gjithashtu falënderoi presidentin palestinez për dënimin e sulmit të armatosur në Tel Aviv dhe tha se Izraeli është “i gatshëm të rrisë masat e tij civile gjatë Ramazanit, duke marrë parasysh situatën e sigurisë”.

Izraeli është i shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Al-Kudsin lindor me fillimin e Ramazanit.

Sulmet, të cilat ndodhën në qytete të ndryshme izraelite nga 22 deri më 29 mars, duke vrarë gjithsej 11 izraelitë, kanë rritur tensionet në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor. /aa