Gaza – aty ku uria e fëmijëve mbyt britmat e dhimbjes nga bombardimet

Aqsa Durrani

Dëshmia e doktoreshës pediatre amerikane e“Mjekëve Pa Kufij” për tmerret që pa në Gaza

Kur hyra në Gaza, ushtria izraelite kishte vendosur një rregull absurd: lejohej të merrja me vete vetëm rreth tre kilogramë ushqim. Teksa po peshoja shufrat e proteinës për t’u futur brenda këtij kufiri, i thashë burrit tim: “Sa e tmerrshme është kjo?” Jam punonjëse humanitare – pse duhet të ekzistojë një kufizim për ushqimin? Kam punuar në vende të shumta ku uria ishte ekstreme, por ajo që e bën këtë rast kaq tronditës është mizoria e qëllimshme me të cilën ushtrohet.

Qëndrova në Gaza për dy muaj dhe nuk ka fjalë që të përshkruajnë tmerrin që po ndodh. E them këtë si doktoreshë pediatre në reanimacion, ku shoh fëmijë që vdesin çdo ditë. Koleget e mi – mjekë e infermierë – përpiqen të shpëtojnë jetë, ndërsa vetë janë të uritur, të rraskapitur, duke jetuar në tenda. Disa kanë humbur pesëmbëdhjetë apo njëzet anëtarë të familjes. Në spital mbërrijnë fëmijë të gjymtuar nga sulmet ajrore, pa krahë, pa këmbë, me djegie të shkallës së tretë. Shpesh mungojnë edhe ilaçet bazë kundër dhimbjes. Por fëmijët nuk bërtasin nga dhimbja; ata bërtasin: “Jam i uritur! Jam i uritur!”

Më vjen keq që po ndalem kryesisht te fëmijët, sepse askush nuk duhet të vuajë nga uria. Por fëmijët mbeten në mendje në një mënyrë të pashlyeshme. Kur përfunduan dy muajt e shërbimit tim, nuk doja të largohesha – një ndjesi që nuk e kisha provuar në gati njëzet vite pune humanitare. Megjithatë, ndjeva turp. Turp që po lija pas kolegët e mi palestinezë – disa nga njerëzit më të mrekullueshëm dhe më të dhembshur që kam takuar ndonjëherë. Turp si amerikane, si qenie njerëzore, që nuk kemi qenë në gjendje të ndalim diçka që është kaq haptas një gjenocid.

Më kujtohet largimi. Autobusi ynë kaloi nga zona tampon. Nga njëra anë e dritares shihja Rafahun – vetëm gërmadha. Nga ana tjetër, Izraelin – i gjelbër dhe i lulëzuar. Posa kaluam portën, gjëja e parë që pashë ishte një grup ushtarësh izraelitë, ulur në një tavolinë, duke ngrënë drekë. Nuk jam ndjerë kurrë më keq duke parë një tavolinë plot ushqim.

Aqsa Durrani është doktoreshë pediatre dhe anëtare e bordit të “Mjekëve Pa Kufij” në SHBA, me afro njëzet vjet përvojë në misione humanitare. Gjatë intervistës sonë, ajo theksoi vazhdimisht dëshirën që të dëgjohen zërat e kolegëve të saj palestinezë.

Burimi: Humans of New York