Gaza ……… frymëzim për botën në perceptimin e qëndresës dhe dinjitetit.

Taha Sulejman Amer

Falënderimi i qoftë Allahut për begatinë e sigurisë, falënderimi i qoftë Allahut për mirësinë e paqes dhe falënderime pa fund ndaj Allahut xh.xh. për ndalimin e luftës në Gazan e krenarisë.

Gjatë dy viteve të plota, populli i Gazës ka dhënë shembujt më madhështorë të sakrificës, durimit dhe qëndrueshmërisë, në rrugën e mbrojtjes së nderit dhe lirisë, ku kanë rënë dëshmorë 70 mijë vetë, shumica prej tyre fëmijë dhe gra, përveç dhjetëra mijëra të plagosurve dhe dy milionë të zhvendosurve. “E nuk u ligështuan për atë që i goditi në rrugën e Allahut, dhe nuk u dobësuan, as nuk u përulën. Dhe Allahu i do të durueshmit. Dhe fjala e tyre nuk ishte tjetër veçse: Zoti ynë, na i fal mëkatet tona dhe teprimet tona në punët tona, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër popullit mohues”. (Ali Imran: 146–147)

Gaza ka ringjallur ndër ne kuptime dhe vlera madhështore, si:

Gaza ka ringjallur frymën e vëllazërisë në ummet, sepse pamë se si ummeti, nga një skaj në tjetrin, u ngrit, u zemërua, u trishtua, qau dhe iu lut Zotit të Lartësuar për të.

Gaza ka zgjuar ndërgjegjen njerëzore, sepse pamë demonstrata zemërimi në më shumë se 800 qytete evropiane, dhe shumë prej pjesëmarrësve nuk ishin myslimanë, por Gaza preku shpirtrat, zemrat dhe mendjet e tyre, duke ndezur flakën e qëndresës në mbrojtje të të shtypurve.

Pamë flotën e anijeve të qëndresës, me njerëz të lirë nga kombe të ndryshme, që përballeshin me rreziqe në det për të thyer rrethimin e urisë dhe turpit mbi Gazën.

Gaza ka ringjallur te brezat e rinj në Perëndim shpirtin e sakrificës për të shtypurit dhe vlerën e vetmohimit për hir të tyre, kur pamë fëmijë të vegjël që i paraprinin të rriturve duke bojkotuar produktet e kompanive që mbështesin pushtimin tiranik.

Gaza ka ringjallur në ne frymën e qëndresës përballë padrejtësisë dhe tiranëve, pa dëshpërim, pa nënshtrim dhe pa hequr dorë nga asnjë parim apo vlerë në të cilën besojmë.

Gaza ka ringjallur kuptimin e dinjitetit në shpirtin e besimtarëve. Allahu thotë: “Kushdo që dëshiron krenarinë, e gjithë krenaria dhe dinjiteti i takon Allahut. Tek Ai ngjitet fjala e mirë, dhe veprat e mira e Ai i pranon. Ndërsa ata që kurdisin të këqija, i pret dënim i ashpër, dhe mashtrimi i tyre shkatërrohet”. (Fatir: 10) Dhe Allahu thotë: “Dinjiteti është i Allahut, i Profetit të Tij dhe i besimtarëve, por hipokritët nuk e kuptojnë këtë”. (El-Munafikun: 😎

Gaza ka ringjallur në ne shpirtin e sakrificës për Jerusalemin dhe Al-Aksan.

Jerusalemi është akide, Al-Aksa është akide, dhe çështja është çështë besimi që në fillim e gjer në fund, begatia shndrit nga toka e Isras dhe Mi‘raxhit dhe rreth saj. Allahu thotë: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit)”.(El-Isra: 1)

Gaza ka ringjallur në ne perceptimin se fitorja nuk arrihet me numra apo me forcë materiale, por me vullnet të fortë, vendosmëri të palëkundur dhe qëndresë mbi parimet. Allahu thotë: “ ….. Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha! All-llahu është me durimtarët”. (El-Bekare: 249)

Fusha më e madhe e fitores është fusha e moralit dhe vlerave, duke i shkëputur zemrat nga dëshirat e ulëta dhe pasionet tokësore. Sigurisht, Gaza ka përjetuar lloje të ndryshme të padrejtësisë dhe urisë, madje edhe shfarosje masive që turpëron botën. Por ata kanë dhënë shembuj të shkëlqyer të durimit, sinqeritetit, mbajtjes së të vërtetës dhe mbrojtjes së lirisë dhe dinjitetit. Ata dhanë dëshmorë për Jerusalemin dhe Al-Aksan, për nderin dhe lavdinë, dhe lum ata dëshmorë që Allahu ka përgatitur shpërblim për ta. Profeti s.a.v.s. ka thënë: “Nuk ka njeri që hyn në xhenet dhe dëshiron të kthehet në këtë botë, përveç dëshmorit. Ai dëshiron të kthehet për të vdekur dhjetë herë kur sheh shpërblimet për të”. (Buhariu dhe Muslimi nga Anas ibn Malik) Allahu thotë gjithashtu: “E kush do që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata”. (En-Nisa: 69)

Allahu thotë: “Ata që besuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ata janë të sinqertit dhe dëshmorët tek Zoti i tyre, ata kanë shpërblimin e vet dhe dritën e vet”. (El-Hedid: 19) Ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë) në tefsir e tij thotë: Nuk ka dyshim se i sinqerti ka një shkallë më të lartë se dëshmori, siç transmeton Imam Maliku, në librin e tij El-Muvata, nga Ebu Seid el-Hudri, se Profeti s.a.v.s. ka thënë: “Banorët e xhenetit shohin njëri-tjetrin nga lartësia e dhomave të tyre, ashtu si shohim një yll të largët në horizontin lindor ose perëndimor, për të dalluar shkallët mes tyre”. Disa thanë: “O i Dërguari i Allahut, a janë këto vetëm për profetët dhe të tjerët nuk mund t’i arrijnë?” Profeti s.a.v.s. u përgjigj: “Pasha Atë që mban shpirtin tim në dorë, ka burra që besuan në Allah dhe u treguan të sinqertë ndaj të dërguarve”.

Nga Gaza mësuam se personi që ka të drejtë është më i fortë, dhe duhet të qëndrojë i palëkundur, të mos heqë dorë nga e drejta e tij, përkundrazi duhet ta mbrojë dhe të mos dorëzohet, sado i dobët të jetë. Nga burrat e lirë të Gazës mësuam se mbajtësi i mesazhit duhet të durojë plagët e tij nga brenda dhe të mos ligështohet ndaj bindjeve të tij, të qëndrojë i ngritur në pozitën që Allahu ia caktoi, me kokën lartë dhe trupin drejt, duke parë të vërtetën triumfuese me flamurin e saj lart dhe të pavërtetën të shkatërruar me flamurin e saj të rënë.

Nga Gaza mësuam se fjala e fundit në çdo çështje i takon Allahut, ndaj duhet të mbështetemi vetëm te Allahu, zotëruesi i dinjitetit, forcës dhe fuqisë. Allahu xh.xh. thotë: “Unë iu kam mbështetur All-llahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj, pse nuk ka asnjë nga gjallesat, e që Ai të mos e ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i drejtë”. (Hud: 56)

Megjithëse ndjejmë dhimbje për shkatërrimin dhe vuajtjet, gëzohemi që lufta ndaloi pa u dorëzuar Gaza. Gëzohemi për hir të Allahut për durimin, trimërinë, qëndresën dhe qëndrueshmërinë. Gaza qëndroi përballë forcave të padrejtësisë dhe të tiranisë. Gaza qëndroi pavarësisht shkatërrimit, dhimbjes dhe plagëve.

Le të gëzohet sot çdo njeri që u zemërua, u trishtua, qau dhe iu lut Zotit për Gazën.

Ju duhet të jeni krenarë që i përkisni një ummeti që i përket edhe Gaza. Ngrejini kokat lart, sepse i përkisni një ummeti ku janë të lirët e Gazës, gratë e Gazës dhe fëmijët e Gazës. Po, pushtuesi mori jetët e qindra mijëra banorëve të Gazës, por nuk mundi të thyente vendosmërinë e një fëmije të vogël në rrugicën më të vogël të Gazës. Pushtuesi shkatërroi xhamitë dhe minaret, por nuk mundi të thyente besimin e palëkundur në zemrat e burrave dhe grave të Gazës. Pushtuesi mundi të thyente zemrat e grave dhe fëmijëve, por nuk mundi të thyente vendosmërinë e tyre për të qëndruar dhe për të mos u dorëzuar.

Gaza humbi pasuri dhe shtëpi, por fitoi shembullin në durim dhe sakrificë. Allahu thotë: “Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi që ata (që i bëmë prijësa) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur”. (Es-Sedxe: 24)

Gaza ka shkruar një histori që do të rrëfejnë brezat deri në Ditën e Gjykimit për ummetin dhe njerëzimin.

Falënderimi i qoftë Allahut që kjo luftë e padrejtë ka ndalur.

Dhe duhet të theksojmë se pas luftës vjen një barrë e madhe, duhet të nxitojmë për të ndihmuar njerëzit tanë financiarisht, psikologjikisht dhe mediatikisht.

Dhe lutemi Allahut të pranojë dëshmorët e tyre, të ngushëllojë zemrat e tyre dhe të ruajë Gazën e lavdishme dhe Palestinën.

Falënderimi qoftë Allahut në fillim dhe në fund.

Nga: Taha Sulejman Amer

Përktheu: Behar Kaçeli