Gaza: Numri i vdekjeve arrin 25,105 ndërsa sulmet izraelite vazhdojnë

Të paktën 178 palestinezë janë vrarë dhe 293 janë plagosur në 24 orët e fundit, ndërsa forcat izraelite po i vazhdojnë sulmet e tyre në Rripin e rrethuar të Gazës, tha sot Ministria e Shëndetësisë e enklavës, transmeton Anadolu.

“Okupacioni izraelit kreu 15 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 178 dëshmorë dhe 293 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, tha ministria në një deklaratë.

“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, thuhet në deklaratë.

Me viktimat e fundit palestineze, numri i të vrarëve në sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori është rritur në 25.105, ndërsa 62.681 të tjerë janë plagosur, tha ministria.

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë afro 1.200 njerëz.

Sipas OKB-së, 85 për qind e popullsisë në Gaza është tashmë e zhvendosur brenda vendit, ndërsa përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, kurse 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.