Gazetarja dhe nëna e saj midis trupave të 25 palestinezëve të nxjerrë nga rrënojat në Gaza

Heba Al-Abadla

Mbrojtja Civile e Gazës ka nxjerrë trupat e 25 palestinezëve, përfshirë një gazetare, nga rrënojat në jug të Gazës sot pas luftës izraelite ndaj enklavës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Mbrojtja Civile tha se ekipet e saj gjetën trupat nga rrënojat e një shtëpie familjare në qytetin Khan Younis. Viktimat janë vrarë në sulmet izraelite në janar 2024.

Sipas deklaratës, mes viktimave ishte edhe gazetarja palestineze Heba Al-Abadla dhe nëna e saj.

Operacionet e kërkimit kryhen me mekanizma të thjeshtë dhe primitivë dhe me disa pajisje të rënda të amortizuara për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite mbi enklavën.

Izraeli refuzon të sjellë makineri dhe pajisje të rënda për të larguar tonelata rrënojash, pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor, duke penguar nxjerrjen e trupave të palestinezëve të varrosur nën to.

Familjet palestineze përpiqen t’i identifikojnë të afërmit e tyre mes trupave përmes shenjave dalluese ose rrobave për shkak të mungesës së pajisjeve mjekësore të specializuara.

Autoritetet e Gazës kanë akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritur të marrëveshjes së armëpushimit pas luftës që ka vrarë mbi 71.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171.000 të tjerë që nga tetori 2023.