Teksa automjetet moderne po bëhen gjithnjë e më shumë “kompjuterë me katër rrota”, edhe shqetësimi për privatësinë e shoferëve po vjen në plan të parë.
Prodhuesit e veturave janë vënë nën vëzhgim për shkak të dyshimeve për mbledhjen dhe shitjen e të dhënave të ndjeshme të vozitjes ndaj palëve të treta, përfshirë kompanitë e sigurimit. Skandali u përshkallëzua në vitin 2024, kur një hetim i New York Times zbuloi se General Motors (GM) ndante të dhënat e klientëve të tij, që solli padinë e parë.
Tani në betejën ligjore iu bashkua edhe shteti federal amerikan Nebraska. Prokurori i përgjithshëm, Mike Hilgers ngriti padi kundër General Motors dhe degës së tij, OnStar për, siç tha, “mbledhje, përpunim dhe shitje të paligjshme të të dhënave të ndjeshme të vozitjes” që i përkasin banorëve të Nebraskës.
Në padinë thuhet se GM për vite me radhë ka mbledhur dhe shitur në mënyrë mashtruese të dhënat e klientëve pa dijeninë apo pëlqimin e tyre. Informacionet mblidheshin përmes sistemit OnStar dhe përfshinin gjithçka – nga data, koha dhe koha e udhëtimit, shpejtësia, deri te statusi i rripave të sigurimit dhe distancat e përshkuara. Vlerësohet se GM ka mbledhur dhe shitur të dhëna nga më shumë se 14 milionë automjete në SHBA, prej të cilave “disa mijëra i përkasin banorëve të Nebraskës.”
Pas mbledhjes së të dhënave, GM thuhet se ka lidhur kontrata me kompani të jashtme që i ruanin këto të dhëna dhe bazuar në to i jepnin çdo shoferi një “vlerësim vozitjeje.” Ky vlerësim bazohej në faktorë rreziku si frenimi i papritur, përshpejtimi i shpejtë, përdorimi i rripit të sigurimit dhe kthesat e forta. Më pas këto kompani, sipas padisë, shisnin qasje në të dhënat tek kompanitë e sigurimit, që mund të ndikonte drejtpërdrejt në çmimin e policave të sigurimit të automjeteve.
Sipas prokurorit Hilgers, “GM ka fituar miliona dollarë nga pagesat njëhershme të palëve të treta, të drejtat nga licencat e shitura siguruesve dhe pagesat vjetore të garantuara”. Në padinë thuhet gjithashtu se GM ka pretenduar në mënyrë të rreme se shoferët kanë dhënë pëlqimin për mbledhjen dhe shitjen e të dhënave të tyre.
Prokurori i përgjithshëm i Nebraskës e kundërshton këtë pretendim, duke theksuar se GM ka përdorur “taktika mashtruese, të padrejta dhe të paligjshme për të përfshirë klientët e tij në programet e mbledhjes së të dhënave.” Në padinë kërkohen dënime me gjobë, kompensim për qytetarët e prekur dhe një urdhër gjyqësor që ndalon GM dhe OnStar të vazhdojnë këtë praktikë.
“Banorët e Nebraskës meritojnë të bashkëpunojnë me kompani që janë të sinqerta për atë që bëjnë. Kjo këtu nuk ka ndodhur,” tha Hilgers. “Kemi ngritur padi sepse një kompani e madhe vendosi të mos u thotë në mënyrë të ndershme qytetarëve se të dhënat e tyre do të përdoren për të ndikuar në çmimet e sigurimeve. Kjo është e gabuar dhe zyra jonë do të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë ata që mashtrojnë qytetarët, pa marrë parasysh madhësinë e tyre”.








