Gërvalla e Maqedonci në Varshavë, pjesë e konferencës për sigurinë e Evropës

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, njëherit ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po marrin pjesë në një konferencë për mbrojtjen dhe sigurinë, “Defence 24 Days” në Varshavë.

Zyra e MPJD-së shkroi të hënën se kjo konferencë, si më e madhja për sigurinë në Evropë, është mundësi e mirë për diskutim mes përfaqësuesve shtetërore për sigurinë dhe mbrojtjen.

“Si një prej konferencave më të mëdha dhe më të rëndësishme të sigurisë në Evropë, “Defence24 Days” është një mundësi e mirë e diskutimit mes përfaqësueseve më të lartë shtetërorë, ekspertëve, civilëve dhe ushtarakëve, rreth sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë. Përmes diskutimeve në panele Republika e Kosovës do të paraqesë pikëpamjet, angazhimin dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ministrja Gërvalla në kuadër të ketë gjatë kësaj konference takime me udhëheqës të lartë të Polonisë, të shteteve tjera pjesëmarrëse në konferencë, përfaqësues të institucioneve rajonale dhe globale, civile dhe ushtarake”, thuhet në njoftim.

Në majin e 2023-s, Kosova ishte përjashtuar nga stërvitjet ushtarake “Defender 2023”, si masë sanksionuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mosdëgjim nga Qeveria e Kosovës për situatën në veri.