Gërvalla pritet në takim nga O’Brien, diskutohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga Ndihmëssekretari i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike i Departamentit të Shtetit Amerikan, James O’Brien.

Takimi u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku zëvendëskryeministrja po qëndron për vizitë zyrtare.

Në mesin e pikave të cilat u trajtuan gjatë takimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Në frymën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet dy shteteve gjatë takimit janë trajtuar aspekte të shumta të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, forcimit të sundimit të ligjit e demokracisë dhe jetësimit të aspiratave për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare”, shkruan në njoftimin e MPJD-së.

Gjatë takimit u diskutua edhe për përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, sipas asaj që thuhet në komunikatën e Ministrisë.

“Ministrja Gërvalla dhe Ndihmës Sekretari O’Brien diskutuan po ashtu rreth zhvillimeve të tjera aktuale në vend, duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon si dhe zmbrapsjen e kërcënimeve të sigurisë”.