Gërvalla u përgjigjet kritikave të opozitës: Për 12 muaj kemi marrë 187 vendime

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka deklaruar se gjatë 12 muajve ka marrë mbi 180 vendime. Ajo derisa u është përgjigjur kritikave të opozitës për mosdije dhe skandale, ka numëruar të gjitha takimet dhe vizitat në shumë vende të botës.

Në debatin parlamentar për politikë të jashtme, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka folur edhe për marrëveshjet ndërkombëtare.

“Numri i takimeve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, është jo më pak se 174 takime gjatë 12 muajve punë. Prej tyre janë 52 takime me vetëm homologë nga pritjet në Kosovë… Numri i marrëveshjeve ndërkombëtare rajonale dhe bilaterale është jo më pak se 182 gjatë një viti. 187 vendime ka marrë ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, e cila këtu përmendet si inaktive në politikën e jashtme”, ka deklaruar ajo.

Ajo i doli në mbrojtje edhe presidentes Vjosa Osmani, pas kritikave për rolin e saj nga opozita. Gërvalla ka përmendur takimet e saj me dhjetëra krerë të shteteve.

Ndërkaq, derisa ka folur për pozicionimin në sferën e politikës së jashtme, Gërvalla tha se me vendimet që kanë marrë kanë treguar partneritetin strategjik.

“Jo ‘Amelika, Amelika’ kështu tregohet partneriteti strategjik dhe kështu tregohet se në cilën anë qëndron Kosova. Prandaj, për mua në këtë takim, më vjen keq të dëgjojë nga një ish-ministër i Punëve të Jashtme që Republika e Kosovës paska nevojë të ripozicionohet në sferën e politikës së jashtme. Jo, Kosova është pozicionuar shumë qartë, sa i përket politikës së jashtme. Politika e jashtme është miqësi e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneritet me NATO-n dhe BE-në. Kjo është politika e jashtme dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj pozicionimi”, ka thënë ai.

Ajo komentoi edhe deklaratën e deputetit Enver Hoxhaj, i cili tha se as nuk do të ketë njohje të reja.

“Na garantoi që jo vetëm që nuk ka liberalizim, por as që do të ketë liberalizim. As nuk do të ketë BE. Mua më lind pyetja, ku e merr këtë vendosmëri zotëri Hoxhaj që Kosova të mos ketë as njohje të reja, as liberalizim dhe as anëtarësim në BE. Unë e di që e kemi një kundërshtar të qartë të proceseve të politikës së jashtme të Kosovës dhe ai është fqinji ynë verior, Serbia”, ka vijuar ajo.