Gjashtë ditët e shevalit

Nga Ejub El-ensarij, transmetohet se i dërguari i Zotit a.s të ketë thënë:”Kush agjëron Ramazanin, mandej agjëron dhe gjashtë ditë nga muaji Sheval, do i konsiderohet sikur ka agjëruar gjithë kohën.” (Muslim)

Këtë vlerë specifike, muaji Sheval e ka fituar për vetë faktin se është një muaj kur njeriu është i prirur të ushqehet dhe të plotësojë nevojat e tij fizike, pas një muaji agjërim. Duke qenë kështu, agjërimi bëhet paksa më i vështirë dhe për këtë dhe shpërblimi është më i madh.

Në hadithin e transmetuar nga Theuban, Profeti a.s thotë:”Kush agjëron Ramazanin, ky muaj i konsiderohet sa agjërimi i dhjetë muajve. Agjërimi i gjashtë ditëve pas Ramazanit, plotëson agjërimin e një viti.” (Ibnu Huzejme, Albani, Bejhakij..) Pra, Ramazani dhe gjashtë ditët e Shevalit.

Thotë imam Neveviu, Zoti e mëshiroftë:”Dijetarët thonë se agjërimi i gjashtë ditëve pas agjërimit të Ramazanit, konsiderohet si agjërimi i të gjithë vitit, sepse një e mirë shpërblehet me dhjetë syresh. Kështu, Ramazani është i barabartë me dhjetë muaj, kurse gjashtë ditët janë të barabarta dhe shpërblehen si dy muaj.

Thotë imam Ahmedi:”Nga hadithet e kapitullit përkatës, nuk ka hadith më të saktë (se i lart përmenduri).”

Vlera e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit:

1 – Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, pas agjërimit të muajit të Ramazanit, plotëson shpërblimin e një viti agjërim.

2 – Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit dhe ditëve të muajit Shaban, është i ngjashëm me faljen e namazeve nafile (revatib) para dhe pas atyre farze. Ato plotësojnë mangësitë dhe të metat e farzeve, të cilët plotësohen vetëm nëpërmjet nafileve. Shumë njerëz kanë mangësi në agjërimin e tyre, prandaj i lipset ti plotësojë këto mangësi me agjërim të gjashtë ditëve të Shevalit.

3 – Rifillimi i agjërimit pas festës së Fitër Bajramit, është tregues i pranimit të agjërimit të Ramazanit. Zoti, kur ia pranon veprën e mirë një robi, e frymëzon drejt një vepre tjetër të mirë. Disa të ditur thonë: Shpërblim i një vepre të mirë, është një vepër tjetër e mirë pas saj. Prandaj, kushdo që bën një vepër të mirë dhe atë e pason me një tjetër, është tregues se i është pranuar vepra e parë. Ashtu siç, kush vepron një vepër të mirë dhe e pason me një vepër të ligë, është tregues se vepra e mirë nuk është pranuar.

4 – Agjërimi i Ramazanit është mekanizëm për fshirjen e gjynaheve që janë vepruar para tij.

5 – Agjëruesit e Ramazanit, e marrin sevapin ditën e Bajramit, e cila njihet si dita e shpërblimit. Duke iu kthyer sërish agjërimit pas kësaj dite, besimtari shpreh mirënjohje për këtë mirësi. Nuk ka mirësi më të madhe sesa falja e gjynaheve. Vetë Profeti a.s falej natën derisa i mavijoseshin këmbët dhe kur e shoqja e pyeste:”Përse falesh kaq shumë, ndërkohë që të janë falur gjynahet?!” Ai i përgjigjej:”E si të mos jem mirënjohës për këtë?!”

Zoti i ka urdhëruar robërit e Tij që ta falënderojnë dhe ti jenë mirënjohës për mirësinë e agjërimit, duke e përmendur sa më shpesh. Thotë Zoti në Kuran:”Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (Bekare, 185)

Pjesë e mirënjohjes ndaj Zotit për mundësinë që i dha për të agjëruar Ramazanin, është dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit.

Disa nga dijetarët e parë, sa herë që i mundësohej të ngrihej natën dhe të falej, e agjëronte atë ditë, si mirënjohje për Zotin për këtë privilegj.

Vehib ibnu Verd, pyetej shpesh herë mbi vlerën e disa veprave të mira, si tavafi. Ai u përgjigjej:”Mos pyesni për vlerën e këtyre veprave të mira, por pyesni se çfarë duhet të bëni për ta falënderuar Zotin që ua mundësoi ti veproni këto vepra.

Çdo mirësi dhe begati, në jetë apo në besim, meriton mirënjohje dhe falënderim. Vetë fakti që të mundësohet falënderimi dhe mirënjohja, është një mirësi tjetër e cila kërkon të vlerësohet dhe falënderohet, pasi jo çdo kujt i mundësohet. Robi e ka të pamundur ti jetë mirënjohës dhe ta falënderojë Zotin për të gjitha të mirat. Prandaj, thuhet që thelbi i mirënjohjes dhe falënderimit, është që të ndërgjegjësohesh për paaftësinë tënde për ta falënderuar Zotin siç duhet.

Gjykimi i agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit:

Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është i pëlqyeshëm tek imam Shafiu, Ahmed dhe Is’hak. Ky është dhe mendimi i Ibnu Abasit, Kab El-ahbar, Taus, Shabij dhe Ibnu Mabarek. Mendimin dhe gjykimin e tyre, ata e argumentojnë me hadithet që kemi cekur më sipër.

Sakaq, disa dijetarë si Ebu Hanife dhe Malik, mendojnë se agjërimi i këtyre ditëve është diçka e papëlqyeshme (mekruh), me pretekstin se masat e gjera mund ta legjitimojnë agjërimin e këtyre ditëve dhe ta shohin si obligim. Gjithashtu, sipas tyre, me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, kemi dhe një përngjasim me ithtarët e Librit, pasi kemi një shtesë prej gjashtë ditësh mbi muajin e agjërimit që është obligim.

Maliku thoshte se agjërimi i gjashtë ditëve nuk është as nga veprat e mira të banorëve të Medines, edhe pse transmetuesit e hadithit janë medinas. Ndoshta, ai nuk ka gjetur diçka të shkruar nga shtatë fakihët e Medines rreth kësaj meseleje.

Ibnu Abdil Berr thotë:”Imam Malikut nuk i ka mbërritur hadithi i Ebu Ejub Ensari si hadith i thënë në Medine. Gjykimin e tij, imam Maliku e mbështet në frikën se mos këto gjashtë ditë ngrihen në nivelin e obligimit të Ramazanit. Sipas interpretimit të Theuban, imam Malik nuk e sheh të papëlqyeshme agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit. Agjërimi është mburojë dhe shpërblimi i tij është i ditur nga të gjithë, aq më tepër imam Maliku.”

Perktheu: Elmaz Fida