Gjashtë oficerë të FSK-së diplomojnë në Akademinë Ushtarake të Turqisë

Me datë 30 gusht, gjashtë oficerë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses studimet pesëvjeçare në Akademinë Ushtarake të Turqisë, një ndër institucionet më prestigjioze të formimit ushtarak dhe akademik në rajon.

Oficerët e diplomuar janë: Adrian Ukiqi, Fatlind Neziri, Getoar Berisha, Hamdi Hasani, Shefit Tahiri dhe Dardane Mehmeti. Ata janë përgatitur në një program të avancuar që ndërthur trajnimet intensive ushtarake me studime akademike civile.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vlerësoi lart përkushtimin dhe suksesin e oficerëve të rinj.

“Këta të rinj, përmes përkushtimit, profesionalizmit dhe disiplinës së lartë, kanë përfunduar me sukses një program pesëvjeçar studimesh,” tha Maqedonci.

Programi i tyre ka përfshirë drejtimet ushtarake dhe civile si më poshtë:

Adrian Ukiqi – Drejtimi Ushtarak: Financa | Dega Civile: Mbrojtje dhe Menaxhment

Fatlind Neziri – Drejtimi Ushtarak: Logjistikë | Dega Civile: Marrëdhënie Ndërkombëtare

Shefit Tahiri – Drejtimi Ushtarak: Këmbësori | Dega Civile: Marrëdhënie Ndërkombëtare

Getoar Berisha, Hamdi Hasani dhe Dardane Mehmeti – Drejtimi Ushtarak: Mbrojtje Ajrore | Dega Civile: Marrëdhënie Ndërkombëtare

Oficerët e rinj kanë kryer ushtrime të avancuara në terren në kampin ushtarak të Izmirit dhe kanë përfunduar me sukses Kursin e Komandos në Isparta, “Dağ Komando Okulu”, një nga shkollat më elitare të trajnimit ushtarak në Turqi.

Maqedonci theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij bashkëpunimi me Turqinë.

“Ky sukses përfaqëson jo vetëm arritje individuale, por edhe një dëshmi të fuqisë së partneritetit mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e arsimit dhe zhvillimit ushtarak”, ka shkruar Maqedonci. /