Gjendja e jashtëzakonshme në Itali, shumë kosovarë që jetojnë atje tentojnë kthimin

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka treguar se në çfarë gjendje është aktualisht Italia e cila po përballet me shpërthimin e jashtëzakonshëm të koronavirusit – që tashmë ka marrë mijëra jetë njerëzish.

“Italia është në një gjendje të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për një krizë të rëndë shëndetësore – të paparë ndonjëherë që prej Luftës së Dytë Botërore – sociale dhe ekonomike. Pasojat besoj se po shihen çdo ditë, mediat po raportojnë për numrin e madh të të infektuarve dhe mbi të gjitha për numrin e madh të atyre që po e humbin jetën si pasojë e koronavirusit”.

“Është krizë shumë dimensionale pasojat e së cilës do të vazhdojnë. Kjo është java, që siç thojnë mediat dhe autoritetet qeveritare, ka shpërthimin më të madh në shifra të kësaj sëmundje ngjitëse. Masat jashtëzakonisht restriktive që ka marrë qeveria italiane pritet që ta japin efektin nga java tjetër, pra do të shihet nëse do të ketë zvogëlim të rasteve të të infektuarve – që është esenciale dhe pritet të vijë nga ky izolim i jashtëzakonshëm që është bërë nga jugu në veri”.

Lama në Specialen e Klan Kosovës ka thënë se ka shumë kosovarë që ndodhen në afërsi të zonave ku është shpërthimi më ti madh i pandemisë Covid-19.