Tre drejtues të Ndërmarrjes Publike “Komunalec” në Gostivar janë ndaluar nga policia në kuadër të hetimit lidhur me gjendjen me ujin dhe numrin e shtuar të të prekurve në komunë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, policia, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar, ka ndaluar drejtoreshën e ndërmarrjes publike “Komunalec” drejtorin teknik dhe personin përgjegjës për sektorin e ujësjellësit, në lidhje me dyshimet për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit të Gostivarit.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ndalesa për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i qytetit mbetet në fuqi deri në marrjen e rezultateve të reja dhe rekomandimeve nga institucionet kompetente.
Pasi rreth 1.200 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me stomakun, uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar u ndalua për pije javën e kaluar.
Institucionet kompetente shpallën gjendje epidemike lokale në Gostivar për ta tejkaluar situatën me furnizimin me ujë.
Qeveria nga sot po siguron 50 mijë litra ujë të pijshëm në ditë për banorët, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik (IShP) ka përfunduar analizat, të cilat gjatë ditës do t’ia dorëzojë Prokurorisë Publike.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, njoftoi se në institucionet shëndetësore në Gostivar deri më tani janë regjistruar rreth 3.100 raste, ndërsa që nga 19 korriku ka filluar të ulet numri i pranimeve të reja.







