Gjermania do të humbë 220 miliardë euro nëse gazi rus ndërpritet

Gjermania do të zhytej në një recesion të thellë nëse furnizimi me gaz natyror rus do të mbyllej papritmas, paralajmëruan parashikuesit kryesorë të vendit.

Vendi do të humbiste 220 miliardë euro në prodhim ekonomik gjatë dy viteve të ardhshme në rast të një goditjeje të tillë, sipas një raporti nga pesë institutet ekonomike gjermane. Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet me vetëm 1.9 për qind gjatë këtij viti dhe do të tkurret me 2.2 për qind në vitin 2023. Në rast se gazi do të vazhdojë të rrjedhë rritja ekonomike për vitin 2022 do të ishte 2.7 për qind.

Ndërprerja e gazit rus do të çonte ekonominë më të madhe të Europës në një “recesion të mprehtë”, tha Stefan Kooths, drejtor kërkimi në Institutin e Kiel për Ekonominë Botërore dhe një nga autorët e raportit.

Mizoritë e kryera të zbuluara në Bucha ndërsa periferia e Kievit ishte nën kontrollin e forcave ruse e shtynë Bashkimin Europian të përshkallëzojë sanksionet ekonomike kundër Moskës.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord të heqin gradualisht të gjitha importet e qymyrit rus. Sipas burimeve qymyri do të ndalohet totalisht deri në gusht. Një raund i ri i gjashtë i sanksioneve tashmë është duke u diskutuar dhe disa zyrtarë të BE-së kanë bërë thirrje për veprim ndaj eksporteve ruse të naftës dhe gazit.

Por, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, një ndërprerje e gazit rus në kohë të shkurtër do të shkaktonte dëm të madh në Gjermani, e cila mbështetej te Rusia për 46% të gazit në total për vitin 2020. Ajo e përdor gazin për sistemet e ngrohjeve në banesa, për të prodhuar energji elektrike dhe për të ndihmuar në fuqizimin e fabrikave të saj.

Bashkimi Europian tashmë po përpiqet të ulë importet e gazit rus me 66% këtë vit, dhe të shkëpusë varësinë e tij nga energjia ruse deri në vitin 2027.

Synimi për tu shkëputur nga furnizimi me gaz rus ka të ngjarë të përkeqësojë inflacionin në Gjermani, i cili muajin e kaluar arriti nivelin më të lartë në 40 vjet. Çmimet e konsumit u rritën me 7.3% krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave nga Zyra Federale e Statistikave. Shkaku kryesor, rritja e çmimeve të gazit natyror dhe naftës, të cilat u rritën me gati 40 për qind në të njëjtën periudhë. /monitor