Gjermania hedh themelet post-Merkel

Gjermania postMerkel po merr formë: socialdemokratët, që fituan zgjedhjet, të Gjelbrit dhe Liberalët, njoftuan sot një marrëveshje paraprake për formimin e një qeverie tripalëshe, që pritet të udhëhiqet nga Olaf Scholz.

Në bazë të dokumentit të paraqitur sot, të tre formacionet, me programe shumë të ndryshme, do të thellojnë bisedimet e tyre dhe do të hapin negociatat zyrtare duke trajtuar, pikë për pikë, të gjitha detajet e një aleance të ardhshme.

Vendimi për zyrtarizimin e negociatave është në pritje të konsultimeve me drejtuesit e palëve në fjalë, përfshirë një minikongres të të Gjelbërve këtë fundjavë, por rezultati nuk është në dyshim.

Nëse negociatat janë të suksesshme, një koalicion mes këtyre tri partive duhet të marrë kontrollin e Gjermanisë deri në fund të vitit.

Udhëheqësi socialdemokrat Olaf Scholz, një centrist që aktualisht drejton Ministrinë e Financave, mund të fillojë të përgatitet për të pasuar Angela Merkel në kancelari.

“Ne arritëm mbrëmë, gjatë diskutimeve intensive deri në orët e para, për të vënë në tryezë një propozim për një koalicion reformash dhe përparimi”, theksoi bashkëpresidentja e partisë mjedisore, Annalena Baerbock, e dhënë si drejtuese e ardhshme e diplomacisë.

Të tre partitë kanë hartuar një dokument prej një duzine faqesh që përmbledh pikat e tyre të marrëveshjes dhe reformat që synojnë të kryejnë në katër vitet e ardhshme. /atsh