Gjermania kritikon Rusinë dhe Kinën për mbështetjen e Iranit

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephu, kritikoi ashpër Rusinë dhe Kinën të martën vonë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj regjimit të Iranit mes protestave të përhapura antiqeveritare në vend, transmeton Anadolu.

“Bashkëpunimi midis Iranit, Rusisë dhe pjesërisht edhe Kinës – ky trekëndësh është përgjegjës për shumë fatkeqësi në këtë botë”, tha Wadephul për transmetuesin publik ARD gjatë vizitës së tij në Washington, DC.

Wadephul akuzoi qeverinë iraniane për shtypjen e demonstratave dhe përdorimin e forcës së tepërt kundër protestuesve, duke pretenduar se ka humbur legjitimitetin e saj për të sunduar vendin.

“Ky regjim duhet të izolohet fort”, tha Wadephul, duke shtuar se Berlini ka rritur përpjekjet diplomatike për të futur sanksione më të ashpra dhe për të listuar Gardën Revolucionare nën regjimin e sanksioneve antiterroriste të BE-së.

Kur u pyet për paralajmërimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj Iranit dhe spekulimet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake, Wadephul tha se ka diskutuar zhvillimet e fundit me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

“Nuk e di se cili është vendimi përfundimtar këtu. Ne e kemi diskutuar këtë çështje dhe më është thënë vetëm se nuk është vendosur përfundimisht. Regjimi në Iran do ta ketë vënë re se ky president është i aftë dhe gjithashtu i gatshëm të marrë masa të tilla. Ne kemi qenë në gjendje ta vërejmë këtë në javët e fundit”, tha ai.

Gjermania një aleat kyç i Izraelit, ka ndjekur një qasje të ashpër kundër qeverisë iraniane mes protestave të përhapura në vend.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se regjimi i Teheranit po jeton “ditët dhe javët e tij të fundit”.

Ambasadori i Iranit u thirr në Ministrinë e Jashtme gjermane të martën. “Veprimet brutale të regjimit iranian kundër popullit të tij janë tronditëse”, tha një deklaratë e ministrisë duke vënë në dukje se “Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë dhunën kundër qytetarëve të tij dhe të respektojë të drejtat e tyre”.

Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, duke filluar më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më vonë u përhapën në disa qytete të tjera.

Zyrtarët qeveritarë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e “trazirave” dhe “terrorizmit”.

Nuk ka shifra zyrtare të viktimave, por Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), një grup i të drejtave me bazë në SHBA, vlerëson se më shumë se 2.500 njerëz janë vrarë, përfshirë forcat e sigurisë dhe protestuesit, dhe më shumë se 1.100 të tjerë janë plagosur.

Grupi gjithashtu thotë se më shumë se 18.000 njerëz janë ndaluar, megjithëse këto shifra nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur dhe ndryshojnë nga vlerësimet e tjera.