Ballina Lajmet Kosovë Gjermania mbështet FSK-në me donacion 3 milionë euro

Gjermania mbështet FSK-në me donacion 3 milionë euro

Gjermania do të ndajë 3 milionë euro për vitin 2026 në kuadër të mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe do të vazhdojë programet e trajnimit për kadetët kosovarë sipas standardeve të NATO-s.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit ndërmjet ambasadorit gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku u theksua përkrahja e vazhdueshme përmes iniciativës “Enable and Enhance”.

Fondet, sipas një njoftimi të ambasadës gjermane, do të shfrytëzohen për pesë projekte kyçe që synojnë forcimin e shërbimeve mjekësore, përmirësimin e logjistikës dhe rritjen e kapaciteteve të zjarrfikjes brenda FSK-së, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e gatishmërisë operacionale dhe zhvillimin institucional, përcjellë KosovaPress.

Në të njëjtën kohë, Gjermania do të vazhdojë mbështetjen në fushën e trajnimeve ushtarake.

Kadetët kosovarë që aktualisht ndjekin trajnime gjuhësore në Gjermani pritet të vazhdojnë me edukimin e oficerëve, në përputhje me standardet e NATO-s.

Programi dypalësh për vitin 2026, sipas përfaqësuesit të Berlinit zyrtar, parasheh gjithashtu aktivitete të shumta të përbashkëta, përfshirë shkëmbime ekspertësh dhe trajnime në logjistikë, polici ushtarake dhe edukim të oficerëve.

Njoftimi I ambasadës thotë se Gjermania ka qenë një partnerët I besueshëm dhe ndër kryesorët të FSK-së dhe mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.