Gjermania mund të dërgojë avionë “Eurofighter” dhe patrullimi detar në Grenlandë për stërvitje

Gjermania po shqyrton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë “Eurofighter”, avionëve të zbulimit dhe mjeteve detare në Grenlandë për stërvitje të NATO-s, me synim forcimin e sigurisë në Arktik, deklaroi të premten një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, transmeton Anadolu.

Njoftimi vjen në kohën kur një ekip zbulues ushtarak gjerman është nisur drejt Grenlandës për të vlerësuar kushtet në terren për stërvitje të mundshme të ardhshme me aleatët e NATO-s në këtë rajon me rëndësi strategjike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Michael Stempfle, tha se ekipi do të shqyrtojë opsione të ndryshme ushtarake në koordinim me Danimarkën, e cila udhëheq misionin.

“Pyetja është nëse Arktiku është i sigurt dhe si mund të kontribuojmë së bashku me partnerët tanë të NATO-s”, u shpreh Stempfle për gazetarët në Berlin. “Po shqyrtojmë stërvitje me avionë zbulues ‘P-8 Poseidon’, dislokimin e fregatave ose njësive të tjera detare për mbikëqyrje detare dhe, teorikisht, edhe dislokimin e avionëve ‘Eurofighter’”.

Misioni zbulues udhëhiqet nga Danimarka dhe përfshin pjesëmarrjen e Norvegjisë, Suedisë, Finlandës, Britanisë, Francës dhe Holandës. Gjermania ka dërguar më shumë se një duzinë personeli ushtarak, përfshirë ekspertë logjistike nga degë të ndryshme.

Stempfle tha se ekipi do të analizojë kushtet lokale dhe modelet e vështira të motit për të përcaktuar se çfarë lloj stërvitjesh mund të zhvillohen në tokë, në det dhe në ajër. “Kur mendon se çfarë stërvitjesh mund të bëhen atje — në det, në tokë, në ajër — duhet të merren parasysh kushtet lokale, dhe pikërisht kjo është ajo që duhet të ndodhë”, tha ai.

I pyetur nëse misioni mund të çojë në dislokim të përhershëm të forcave, Stempfle tha se është ende herët për vlerësime të tilla.

“Është shumë herët për të gjykuar nëse bëhet fjalë për stacionim”, tha ai. “Sa di unë, aktualisht bëhet fjalë kryesisht për vlerësimin e kushteve në terren, më pas për diskutime rreth stërvitjeve në kuadër të NATO-s me partnerët tanë, dhe gjithçka tjetër mund të thuhet vetëm pasi të zhvillohen bisedimet në terren dhe diskutimet e mëtejshme në javët në vijim”.

Planet e udhëhequra nga Danimarka për të rritur praninë ushtarake dhe për të zhvilluar stërvitje në Grenlandë vijnë në një kohë tensionesh të shtuara me administratën amerikane.

Presidenti Donald Trump ka këmbëngulur prej kohësh se SHBA-ja “ka nevojë për Grenlandën” dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për ta arritur këtë objektiv. Bisedimet mbi krizën të zhvilluara të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe udhëheqësve danezë dhe grenlandezë nuk arritën të zgjidhin mosmarrëveshjen.