Presidenti i Iranit i thotë Trump-it: “Kush je ti që t’i mohosh të drejtat kujtdo?”
Presidenti amerikan Trump nuk ka asnjë justifikim për t’i hequr Iranit të drejtat e tij bërthamore, tha Presidenti iranian Masoud Pezeshkian.
Komentet e tij për agjencinë iraniane të lajmeve vijnë në një kohë kur Uashingtoni dhe Teherani vazhdojnë të mos pajtohen për çështjet bërthamore.
“Trump thotë se Irani nuk mund të përdorë të drejtat e tij bërthamore, por ai nuk thotë për çfarë arsyesh ose çfarë kemi bërë gabim. Kush është ai që t’i heqë një kombi të drejtat e tij?”, pyeti Pezeshkian.
Pezeshkian tha se Irani nuk kërkon luftë dhe po vepron vetëm në vetëmbrojtje kundër sulmeve nga SHBA-të dhe Izraeli, duke theksuar angazhimin e vendit të tij për paqe dhe stabilitet rajonal. Ai akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për shënjestrimin e infrastrukturës civile, duke i quajtur veprime të tilla një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe provë të standardeve të dyfishta mbi të drejtat e njeriut.
“Ne nuk kemi sulmuar asnjë vend dhe në situatën aktuale nuk kemi ndërmend të sulmojmë asnjë palë, ne thjesht po mbrohemi në mënyrë legjitime”, citohet të ketë thënë Pezeshkian nga agjencia e lajmeve ISNA.
“Nuk duhet të sugjerohet se Irani kërkon luftë. Përkundrazi, ne jemi paqësorë dhe ajo që po bëjmë është vetëmbrojtje legjitime. Ashtu si çdo qenie njerëzore reagon ndaj agresionit, ashtu edhe një komb mbrohet nga sulmi.” /tesheshi







