Gjykata ia vendos drejtorit të VisaMetric masën e dorëzanisë prej 15 mijë eurove

Gjykata Themelore në Prishtinë ka informuar sot se ka caktuar masën e sigurisë kundër të pandehurit S.O, drejtor i VisaMetric, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Siç është bërë e ditur nga gjykata, gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro, si dhe të pandehurit S.O i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta.

“Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së. Nëse i pandehuri S.O nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit konform nenit 184 paragrafi 1 të KPPRK-së, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhen në fondin e viktimave të krimit, konform nenit 179 paragrafi 1 të KPPRK-së.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Ndryshe, shtetasi turk, S.O, drejtor i VisaMetric dje është ndaluar për 48-orë.

Kompania “VisaMetric”, ka pranuar ditë më parë vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, ku i ndalohej që të marrin nga 30 euro për shërbime postare qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane.

Avokati, Flamur Abdullahu, i cili kishte paditur këtë kompani në Gjykatën Komerciale, ditë më parë kishte thënë për Telegrafin se vlera prej 30 euro për person përben disa miliona përfitime për kompaninë në kundërshtime me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.