Godina e Bashkisë së Tel Avivit ndriçohet me ngjyrat e flamurit turk në solidaritet me Turqinë – VIDEO

Godina e Bashkisë së Tel Avivit është ndriçuar me flamurin turk pasi tërmetet e fuqishme goditën Turqinë juglindore, transmeton Anadolu.

Presidenti izraelit, Isaac Herzog, shprehu ngushëllime për humbjet e jetëve dhe dëmet e infrastrukturës si pasojë e tërmeteve masive.

“Në emër të popullit izraelit, jam thellësisht i pikëlluar nga fatkeqësia e madhe që ka ndodhur në Turqi. Ngushëllimet e mia presidentit Erdoğan dhe popullit turk për humbjen e jetëve dhe shkatërrimin e mjeteve të jetesës”, shkroi Herzog në tëitter.

Presidenti izraelit pohoi se “Izraeli është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë në çdo mënyrë të mundshme”.

Gjithashtu edhe në një bisedë telefonike me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, Herzog shprehu ngushëllime për ata që humbën jetën në tërmetet masive dhe u uroi shërim të plagosurve.

Të paktën 1.651 persona humbën jetën dhe 11.119 të tjerë u plagosën në dhjetë provinca si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën Türkiyen jugore.

Herët në mëngjesin e sotëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë me qendër në rrethin Pazarcık tronditi qytetin Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Më vonë pasdite, një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish goditi qytetin Kahramanmaraş dhe këtë herë ishte me qendër në rrethin Elbistan. /aa