Google pagoi Apple 20 miliardë dollarë për të qenë motori kryesor i kërkimit në Safari

DoJ akuzon Google se ka krijuar një monopol në kërkimin online dhe një vëmendje të veçantë ka marrë marrëveshja mes Apple dhe Google.

Google ka paguar Apple plot 20 miliardë dollarë në 2022 për të qenë motori kryesor i kërkimit në shfletuesin Safari në iPhone, iPad dhe Mac raportoi Bloomberg.

Informacioni u zbulua në gjykatë ndërsa Google ofroi dokumentacionin për çështjen e hapur me Departamentin Amerikan të Drejtësisë nën akuzat për cenim të konkurrencës.

DoJ akuzon Google se ka krijuar një monopol në kërkimin online dhe një vëmendje të veçantë ka marrë marrëveshja mes Apple dhe Google.

Në Nëntor dokumentet e paraqitura nga Google tregonin se kompania i paguante Apple 36 përqind të të ardhurave totale gjeneruar nga kërkimet në Safari dhe së fundi u mësua se kjo shifër ishte 20 miliardë dollarë.

Google ka qenë motori kryesor i kërkimit në pajisje Apple që prej 2002 edhe pse marrëveshja mes tyre është rinegociuar disa herë. Kushtet e marrëveshjes janë të fshehta por ka qenë e ditur që Google i paguan Apple miliarda çdo vit.

Në Tetor të vitit të kaluar CEO i Microsoft Satya Nadella dëshmoi në gjykatë duke thënë se marrëveshjet mes Apple dhe Google e kanë bërë të pamundur për motorët e kërkimit si Bing të konkurrojnë.

Edhe pse Google është motori parësor i kërkimit në pajisjet Apple, përdoruesit mund të zgjedhin të përdorin Yahoo, Bing, DuckDuckGo dhe Ecosia si alternativa. Ndryshimi i motorëve të kërkimit duhet të bëhet në hapësirën e konfigurimit të Safari.

Nëse Google humbet në gjykatë përballë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, marrëveshja me Apple mund të shpërbëhet. Vendimi pritet të shpallet në fund të 2024.