Gota e letrës

Një burrë doli në foltore në një konferencë ndërkombëtare dhe po mbante në dorë një gotë letre të mbushur me kafe. Duke e shikuar atë gotë buzëqeshi disi çuditshëm dhe tha:

‘Më lejoni t’ju tregoj historinë e kësaj gote letre’.

‘Vitin e kaluar isha pjesëmarrës në të njëjtën konferencë dhe po në të njëjtin vend ku jemi tani, por dallimi ishte se në atë kohë unë isha sekretar shteti. Në aeroport më pritën me një limuzinë luksoze dhe më dërguan në hotel ku ata i kryen procedurat e hotelit dhe i dërguan valixhet e mia në dhomën luksoze që kishin rezervuar për mua.

Të nesërmen në hollin e hotelit më pritnin organizatorët e konferencës dhe më dërguan tek vendi ku do të mbahej kjo konferencë. Posa kemi hyrë në ndërtesë, kërkova një kafe dhe ata më sollën kafenë në një filxhan të bukur porcelani.

Ndërsa, këtë vit isha i ftuar përsëri në të njëjtën konferencë, por nuk isha më sekretar shteti.

Kur arrita në aeroport, askush nuk kishte dal të më priste. Është dashur që vet të aranzhoj udhëtimin për në hotel dhe t’i kryej procedurat e hotelit vet dhe atë në një dhomë standarde. Të nesërmen askush nuk më priste që të më dërgonte në ndërtesën e konferencës prandaj vet sigurova taksin dhe arrita atje. Kur hyra në hollin e ndërtesës i pyeta për një kafe, ndërsa recepsionisti më bëri me dorë kah aparati i kafes në qoshe të hollit. Aty mora kafen në një gotë letre dhe tani jam këtu para jush’.

Mësimi i këtij tregimi është ky:

‘Filxhani i shtrenjtë dhe të gjitha ato shërbime që kam patur vitin e kaluar, asnjë nuk kanë qenë të menduara për mua, por për pozitën që kam pas, pra për sekretarin e shtetit.

Ne të gjithë e meritojmë vetëm gotën e letrës për kafe dhe asgjë më shumë’!

Përfitimi nga ky tregim:

Të gjitha shërbimet që të tjerët na japin gjatë mandateve tona zyrtare nuk janë të menduara për ne…, por janë për pozitën të cilën për momentin ne e bartim. Prandaj, le t’i konsiderojmë këto ‘mirësi’ të përkohshme dhe falënderojmë Zotin që na ka mundësuar të jemi në atë pozitë.

Assesi dhe kurrë nuk guxojmë të mendojmë se ne i meritojmë ato shërbime dhe se janë të përhershme! Mendimet e tilla do t’na bëjnë arrogantë por edhe do të dëshpëroheshim thellë pasi t’i humbim këto pozita dhe mandate.

T’lumtë ata të cilët janë modest dhe të qasshëm edhe kur janë në pozita të larta edhe kur nuk janë.

Vehbi Zeqiri

Me përvojë mbi 30 vite në pozita udhëheqëse