Ekspertët paralajmërojnë përshkallëzim, rreziqe të drejtpërdrejta edhe për Evropën
Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, ka shtuar shqetësimet për drejtimin që mund të marrë lufta me Iranin. Donald Trump po shqyrton nëse do t’i japë fund konfliktit apo do të urdhërojë një tjetër ofensivë ushtarake, ndërsa negociatat për arritjen e një armëpushimi nuk kanë prodhuar rezultat.
Të premten, presidenti amerikan paralajmëroi se mund të “shkatërrojë atë që ka mbetur nga vendi”, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri. Burimet ushtarake dhe të inteligjencës të cituara nga mediat britanike, flasin për katër skenarë.
1. Sulm bërthamor ndaj Malit Kazmë
Një nga mundësitë më alarmante, është përdorimi i armëve bërthamore taktike kundër objektit nëntokësor Malit Kazmë, që lidhet me programin iranian të pasurimit të uraniumit.
Ish-agjenti i CIA-s, John Kiriakou, pretendon se burime në Shtëpinë e Bardhë i kanë thënë se Trump po shqyrton një goditje të tillë, me synim shkatërrimin e instalimet e fshehura nën mal.
Sipas tij, presidenti amerikan dëshiron të thyejë tabunë e përdorimit të armëve bërthamore, duke krijuar një precedent për presidentët e ardhshëm.
Megjithatë, ish-zyrtari i MI6-s, Alastair Crooke, vlerëson se një armë bërthamore taktike nuk do të ishte domosdoshmërisht efektive kundër një strukture të thellë nëntokësore të mbrojtur nga shkëmbinjtë prej graniti.
Ai paralajmëron se një bombë e tillë mund të mos depërtojë në thellësinë e nevojshme për të shkatërruar objektivin. Për më tepër, përdorimi i armëve bërthamore nga SHBA-ja ose Izraeli do të rriste ndjeshëm rrezikun e një konflikti më të gjerë ndërkombëtar dhe të kundërpërgjigjes iraniane.
Ndërkohë, raportimet për shpërndarjen e tabletave të jodit në zonat përreth objektit, kanë shtuar shqetësimet për pasojat e mundshme radioaktive.
2. Sulme të kufizuara ndaj objektivave ushtarake
Ky skenar parashikon goditje të reja ajrore ndaj infrastrukturës ushtarake iraniane, sistemeve të mbrojtjes bregdetare dhe radarëve, si dhe zgjerimin e objektivave për të ushtruar presion mbi regjimin në Teheran.
Eksperti Benjamin Jensen, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), paralajmëron se përfitimet e një operacioni të kufizuar mund të jenë të vogla nëse Irani kundërpërgjigjet menjëherë.
Sipas tij, sulme të tilla mund të ndihmojnë negociatat, por njëkohësisht mund ta shtyjnë Teheranin drejt zgjerimit të konfliktit.
Një alternativë do të ishte vazhdimi i bllokadës detare amerikane për të kufizuar eksportet iraniane të naftës, i shoqëruar me goditje të paraqitura si masa mbrojtëse.
Por kjo ngre një tjetër problem: si do të veprojë Uashingtoni nëse Irani vazhdon të sulmojë anijet në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit global të energjisë?
3. Operacion i forcave speciale për sekuestrimin e uraniumit
Një mundësi tjetër është dërgimi i forcave speciale amerikane në objektet nëntokësore të Isfahanit, ku besohet se Irani ruan uranium të pasuruar. Sipas vlerësimeve ushtarake, Irani zotëron rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind.
Nxjerrja dhe sekuestrimi i kësaj sasie do të kërkonte një operacion shumë kompleks, me më shumë se 1.000 trupa, makineri të rënda për gërmime, pista të improvizuara për avionët dhe mbështetje ajrore nga njësi të rregullta ushtarake, përfshirë Divizionin e 82-të Ajror të SHBA-së.
Operacioni mund të zgjaste disa ditë dhe do të kërkonte sigurimin e një perimetri të gjerë. Ndërkohë Irani, mund të përdorte raketa balistike për të goditur vetë objektet ku do të vepronin trupat amerikane, duke rritur rrezikun për ushtarët dhe dështimin e misionit.
4. Ndërhyrje tokësore në shkallë të gjerë
Skenari më ekstrem do të ishte një pushtim tokësor, me synim rrëzimin e regjimit iranian. Megjithatë, në Uashington nuk ka pothuajse asnjë vullnet politik për një tjetër luftë të kushtueshme tokësore në Lindjen e Mesme, veçanërisht mes mbështetësve të lëvizjes MAGA.
Një operacion i tillë do të kërkonte angazhimin e dhjetëra mijëra trupave amerikane. Një ndërhyrje më e kufizuar mund të synonte hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e lëvizjes së lirë të anijeve tregtare, aktualisht të bllokuara nga konflikti.
Por udhëheqësi suprem iranian, Mojtaba Khamenei, ka paralajmëruar se çdo sulm i ri ndaj vendit të tij do të shkaktonte një luftë “pa kufizime gjeografike”. \tesheshi.com\








