Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë të shtunën në Danimarkë dhe Grenlandë për të protestuar kundër deklaratave të fundit të Shteteve të Bashkuara mbi marrjen e kontrollit të Grenlandës. Protestuesit brohoritën se ishulli arktik “nuk është në shitje” dhe se i përket popullit të tij.
Protesta u zhvilluan në disa qytete të mëdha daneze, përfshirë Kopenhagën, Aarhusin, Odensen dhe Aalborgun, si dhe në qytete të Grenlandës si Nuuk, Aasiaat, Qaqortoq dhe Ilulissat. Sipas mediave lokale, pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e lartë, duke e bërë të vështirë vlerësimin e saktë të numrit të protestuesve në mbarë vendin.
Në Kopenhagë, më shumë se 15 mijë persona marshuan në qendër të qytetit drejt Ambasadës së SHBA-së, duke valëvitur flamujt e Grenlandës dhe duke kundërshtuar çdo përpjekje për të cenuar sovranitetin e ishullit. Protesta të mëdha u paralajmëruan edhe në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës, ku qytetarët synonin t’i dërgonin një mesazh të qartë Uashingtonit.
Protestat vijnë pas deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet ta “marrin” Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare. Trump ka përmendur pozicionin strategjik të ishullit, burimet e pasura minerare dhe shqetësimet për aktivitetin rus dhe kinez në Arktik.
Grenlanda është një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës dhe si autoritetet në Kopenhagë, ashtu edhe ato në Nuuk, kanë refuzuar kategorikisht çdo ide për shitjen ose transferimin e saj. Ata kanë theksuar se e ardhmja e Grenlandës mund të vendoset vetëm nga vetë grenlandezët.
Demonstratat e së shtunës përfaqësojnë një nga reagimet publike më të forta deri tani kundër retorikës amerikane mbi Grenlandën dhe tregojnë rritjen e shqetësimit në Evropë lidhur me ambiciet e Uashingtonit në rajonin e Arktikut. /mesazhi








