Greqia, Administrata Greko-Qipriote dhe Izraeli bien dakord të thellojnë bashkëpunimin ushtarak dhe të sigurisë

Greqia, Administra Greko-Qipriote dhe Izraeli kanë rënë dakord të thellojnë më tej bashkëpunimin ushtarak dhe të sigurisë, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis dhe liderin greko-qipriot, Nikos Christodoulides, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sot ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje.

Sipas kryeministrit izraelit, aleanca trepalëshe nuk synon konkretisht asnjë vend në rajon.

“Shikoni, ne nuk kërkojmë konfrontim me askënd. Përkundrazi, ne kërkojmë stabilitet, prosperitet dhe paqe. Shpresojmë që koalicioni ynë të mos vihet në provë”, tha Netanyahu.

Mitsotakis, nga ana e tij, tha se ky është takimi i 10-të trepalësh midis vendeve.

“Kjo tregon thellësinë e bashkëpunimit tonë që është testuar nga koha dhe ka rezultuar i qëndrueshëm”, tha ai.

Duke theksuar bashkëpunimin ushtarak në rritje midis tre palëve, ndoshta më i qarti në rritjen marramendëse të shitjeve të armëve izraelite në Greqi dhe Administratën Greko-Qipriote, Mitsotakis tha se bashkëpunimi i tyre në sektorin e teknologjisë duhet të përmirësohet më tej.

“Bashkëpunimi ynë ka dhënë rezultate të prekshme dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në të ardhmen, ne presim me padurim forcimin e partneritetit trepalësh”, tha Mitsotakis.

Ndërkaq, Christodoulides gjithashtu theksoi bashkëpunimin në rritje në mbrojtje, siguri, turizëm dhe energji.

Ai shtoi se nuk ka kufizime për perspektivat e bashkëpunimit midis tre vendeve.

Izraeli është shfaqur si një furnizues i madh armësh për Athinën dhe për Administratën Greko-Qipriote, duke ofruar lloje të ndryshme raketash të përparuara, dronë dhe sisteme të luftës elektronike.

Ushtria izraelite gjithashtu shpesh përdor tokën e të dy vendeve për stërvitje dhe ushtrime.