Greqia furnizon Ukrainën me armatim luftarak

Greqia do ta furnizojë Ukrainën me një grup mjetesh luftarake të këmbësorisë, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Këtë e bënë të ditur ministrat e jashtëm të Greqisë dhe të Ukrainës, nëpërmjet një adresimi për media nga Kievi.

Ministri ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se tanket dhe armët luftarake të shumëpritura tashmë po mbërrijnë në Ukrainë.

“Shumë shpejt ato do të mbërrijnë në ushtrinë tonë dhe do t’i forcojnë aftësitë luftarake dhe mbrojtëse”, deklaroi Kuleba, duke falënderuar shtetin grek për ndihmën.

Ai u shpreh se tash Ukraina ka nevojë për sisteme mbrojtëse kundërajrore.

Rusia ka vazhduar ta sulmojë Ukrainën edhe gjatë së mërkurës. Gjashtë sulme u kryen në drejtimin verilindor, gjersa trupat ukrainase thanë se disa prej sulmeve iu revanshuan me sukses. Sulmet kryesisht u bënë me raketa dhe dronë kamikazë, të marrë nga Irani. /koha