Numri i ushtarëve sirianë të vrarë u rrit në katër të shtunën, pasi ata u vunë në shënjestër nga grupi terrorist YPG/SDF në provincat Halep dhe Raqqa, në veri dhe verilindje të Sirisë, transmeton Anadolu.
“Forcat e organizatës SDF shkelën marrëveshjen dhe kryen një sulm që kishte në shënjestër një patrullë të Ushtrisë Arabe Siriane pranë qytetit Maskanah, duke çuar në rënien dëshmorë të dy ushtarëve dhe plagosjen e të tjerëve”, ka thénë Komanda e Operacioneve e Ushtrisë Siriane për Agjencinë Siriane të Lajmeve (SANA).
Veçmas, Drejtoria e Medias dhe Komunikimit në Ministrinë e Mbrojtjes i tha SANA-s se “milicitë terroriste të PKK-së shënjestruan forcat e Ushtrisë Arabe Siriane në qytetin Dibsi Afnan, në perëndim të Raqqas, duke përdorur dronë vetëvrasës, çka rezultoi në rënien dëshmorë të dy ushtarëve”.
Sulmi ndodhi pasi ushtria njoftoi se kishte marrë kontrollin e plotë të qyteteve Deir Hafir dhe Maskanah në lindje të Halepit, pas tërheqjes së grupit terrorist YPG/SDF drejt lindjes së lumit Eufrat.
Komanda e Operacioneve i tha SANA-s se anëtarët e grupit terrorist PKK “janë të vendosur në një numër fshatrash dhe qytezash në perëndim të Eufratit, duke penguar zbatimin e marrëveshjes dhe duke shënjestruar forcat e ushtrisë siriane”.
Komanda shtoi gjithashtu se ushtria do të vazhdojë vendosjen e kontrollit mbi zonat në perëndim të Eufratit dhe do t’i përgjigjet çdo sulmi ndaj forcave të saj.
Më herët, Drejtoria e Medias dhe Komunikimit e Ministrisë së Mbrojtjes i tha SANA-s se “SDF-ja hapi zjarr ndaj korrespondentëve të Agjencisë Arabe Siriane të Lajmeve dhe personelit të mediave ushtarake pranë qytetit Dibsi Afnan, në zonat rurale të Raqqas”.
Në mars të vitit 2025, presidenca siriane njoftoi një marrëveshje për integrimin e organizatës terroriste YPG/SDG në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.






