Guta Lindore, vriten 25 civilë nga sulmet e regjimit në 6 orët e fundit

Të paktën 25 civilë e kanë humbur jetën në 6 orët e fundit në Gutën Lindore, si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Asadit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në Gutën Lindore, nga bombardimet të cilët kanë filluar rreth orës 10:00 sipas kohës lokale kanë humbur jetën të paktën 25 civilë.

Nga vendbanimet civile në vend, në Aftris kanë humbur jetën 4 civilë, në Hamouriyah 5 dhe në Duma 16 civilë.

Numri i të vdekurve në 3 ditët e fundit nga sulmet e dhunshme të regjimit ka tejkaluar shifrën 275.

Regjimi në 3 ditët e fundit shënjestroi 22 qendra shëndetësore, një xhami dhe një jetimore.

Në Gutën Lindore, e cila është nën kontroll të opozitës, jetojnë rreth 400 mijë civilë. Ky rajon në marrëveshjen në Astana u shpall zonë e deeskalimit të përleshjeve. Përskaj kësaj, pjesëtarët e regjimit të Asadit, vendi garantues i së cilës është Rusia, nga muaji prill i vitit të kaluar intensifikuan rrethimin, ndërsa muajt e fundit edhe sulmet.

Kriza humanitare në Gutën Lindore nga dita në ditë përkeqësohet, ndërsa mijëra civilëve u nevojitet evakuim. Shumica e civilëve të cilët duhen evakuuar urgjentisht, përbëhen nga fëmijët dhe persona të sëmurë nga kanceri.

Përveç kësaj, shumë fëmijë në Gutën Lindore kanë vdekur si pasojë e urisë dhe pamundësisë për të patur qasje në barna.