Guterres u bën thirrje Benett dhe Abbas për qetësi

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres zhvilloi nga një bisedë telefonike me liderët e Izraelit dhe Palestinës për tensionet në Jerusalemin e pushtuar dhe u bëri thirrje palëve të ruajnë qetësinë.

Zyra e Zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së njoftoi përmes një deklarate të shkuar se Guterres i ka telefonuar kryeministrit izraelit Naftali Bennett dhe ka zhvilluar me atë një bisedë me qëllim “uljen e tensioneve, ndalimin e provokimeve dhe ruajtjen e qetësisë në Jerusalem, veçanërisht në vendet e shenjta”.

“Sekretari i Përgjithshëm konfirmoi angazhimin e tij për realizimin e zgjidhjes me dy shtete bazuar në rezolutat përkatëse të OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e mëparshme”, thuhet në këtë deklaratë.

Në një deklaratë të dytë të lëshuar nga zyra e zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm thuhet se Guterres e diskutoi në telefon të njëjtën çështje edhe me presidentin palestinez Mahmud Abbas, “lidhur me përpjekjet për të ulur tensionet dhe për t’i dhënë fund provokimeve në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në vendet e shenjta të Jerusalemit”.

“Palët konfirmuan angazhimin e tyre për realizimin e zgjidhjes me dy shtete të mbështetur në rezolutat përkatëse të OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e mëparshme, si dhe rëndësinë e rivendosjes së një horizonti politik”, thuhet në deklaratën e shkruar të OKB-së lidhur me bisedën telefonike të 21 prillit.

Gjithashtu Guterres shprehu shqetësimin e tij për situatën financiare të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët e Palestinës në Lindjen e Afërt (UNRWA), dhe e siguroi Abbasin se ata do t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për këtë çështje.