Habil

Edison ÇERAJ

Hebrenjtë kanë jetu për shekuj me radhë midis muslimanëve në shumë prej vendeve islame, duke nisë qysh në Medinën profetike e deri në hapësirat dinamike osmane që mbërrijnë fillimshekullin e njëzetë, saqë Selaniku osman u ba qyteti me numrin ma të madh të hebrenjve në botë. Pa harru këtu Andaluzinë islame tetëshekullore të Spanjës jugore, ku pjesëtarët e tri feve të njohura çuan nji jetë model, mjaft domethanëse, sidomos në aspektin kulturor, duke na lanë nji trashëgimi fort të çmuar për sa i takon dialogut midis besimeve dhe kulturave.

Edison ÇERAJ, Tiranë

1

Ka shumë randësi me e kthye kryet mbrapa e me kujtu se përpara krijimit të Izraelit si shtet në vitin 1948 nuk ka ekzistu kurrkund i ashtuquajturi konflikt arabo-izraelit, apo mes palestinezëve dhe hebrenjve, ndërkohë që në Palestinë, përveç muslimanëve dhe të krishterëve jetonin edhe hebrenj dhe çonin nji jetë normale si kudo, për aq sa mundet me qenë normale kjo jetë. Kjo thotë shumë për çdo analizë apo qasje që ngrihet e mund të ngrihet në këtë drejtim. Është e padrejtë dhe e padobishme me u marrë me pasojat e me lanë në harresë shkakun!

Pse nisën problemet pikërisht mbas krijimit të shtetit izraelit? Pse nuk u kriju edhe nji shtet modern palestinez paralelisht me krijimin e shtetit izraelit? Pse nuk u ndihmuan edhe ata po njisoj për krijimin e shtetit të tyre, siç u ndihmuan hebrenjtë e ardhur? Meqë shkoi si shkoi puna, pse nuk u përcaktuan qartë kufijtë e shtetit izraelit e nuk u vulosën qysh në krye të herës, siç ndodhi me shtetet e tjera në kapërcyell të shekujve XIX-XX? Disa gabime të çuditshme që u banë në të shkuarën mund të përmirësohen, në mënyrë që çdo palë të cenohet sa ma pak të jetë e mundur, veçmas palestinezët, të cilëve iu mohua e drejta e pronës, e trashëguar brez pas brezi prej shekujsh.

Hebrenjtë kanë jetu për shekuj me radhë midis muslimanëve në shumë prej vendeve islame, duke nisë qysh në Medinën profetike e deri në hapësirat dinamike osmane që mbërrijnë fillimshekullin e njëzetë, saqë Selaniku osman u ba qyteti me numrin ma të madh të hebrenjve në botë. Pa harru këtu Andaluzinë islame tetëshekullore të Spanjës jugore, ku pjesëtarët e tri feve të njohura çuan nji jetë model, mjaft domethanëse, sidomos në aspektin kulturor, duke na lanë nji trashëgimi fort të çmuar për sa i takon dialogut midis besimeve dhe kulturave.

“Periudha e qeverisjes së muslimanëve në Spanjë (e njohur si Sefarad nga hebrenjtë dhe al-Andalus nga muslimanët) njihet gjerësisht si periudha e artë në historinë hebreje.” (John M. Efron, “The Jews: A History”)

Në njifarë mënyre, shteti izraelit u kriju me vonesë, dhe si çdo gja që nuk bahet në kohën e duhur, ka pasoja. Domethanë, Europa, veçmas Anglia, duhet ta kishin zgjidhë këtë çështje në shek. XIX, kur u ngjizën shtetet-kombe mbas ranies së perandorive, por hebrenjtë, me sa duket, nuk e kanë dashtë këtë, në kuptimin e frymës, pasi individë e grupime të vogla ka pasur që e kanë artikulu aspiratën për nji shtet të tyrin, ama ideja e tyre nuk “mori dhenë”.

Në fakt, hebrenjtë kanë qenë e vazhdojnë me qenë problem i Europës, sepse janë urry e persekutu në forma të ndryshme qysh në Mesjetë e deri në shek. XX me tmerrin e Holokaustit, i cili nuk ishte rrufe që qiell të hapur!

2

Nji prej fushatave ma intensive e ma të gjatë për me përpunu e formu atë që njihet si opinion publik e ndërkombëtar ka qenë edhe portretizimi i palestinezëve si të rrezikshëm, të vrazhdë, terroristë, militantë, të paqytetëruar, të pagdhendur e kështu me radhë. Pa dyshim që kjo është nji prej fushatave ma të mëdha të epokës moderne, së cilës i janë bashku mendimtarë, akademikë, sociologë, artistë, analistë e gazetarë të shumtë.

Kështu, ka ma shumë se gjysmë shekulli që opinioni ndërkombëtar ushqehet vazhdueshëm me këtë stereotip për palestinezët. Për pasojë, meqë ata janë “ata”, terroristë, të rrezikshëm, kërcënim për demokracinë etj., atëherë ndërgjegjësimi ose brejtja e ndërgjegjes do jetë e mekur kur Izraeli të marrë “masa” kundër tyre në emër të mbrojtjes apo paqes në rajon!

A nuk po ndodh bash kjo aktualisht qysh prej nisjes së gjenocidit në Gaza?!

Kjo fushatë, që është mjaft e sofistikuar, e mirëmenduar, që mbahet aktive falë nji bashkërendimi të përsosur njerëzish (të shquar ose jo) dhe instrumentesh të ndryshëm, është e mundur vetëm falë njerëzve të arsimuar, të specializuar e të talentuar në fushat përkatëse.

Sigurisht edhe krijimi i atij që njihet si burgu i hapur ma i madh në botë (Gaza), kontrollet, mbikëqyrja dhe gjenocidi i fundit mbi popullsinë autoktone është i mundur vetëm falë kategorisë së lartpërmendur.

“Kriza e besueshmërisë e universiteteve moderne ka lindur prej faktit se kampet e vdekjes dhe skema e tyre operacionale nuk ishin planifikuar dhe ndërtuar prej analfabetëve, injorantëve dhe njerëzve të pagdhendur e të pashkolluar. Qendrat e vdekjes ishin, sikurse shpikësit e tyre, produkte të atij që për breza me radhë kishte qenë një nga sistemet më të mira universitare të botës…

Të diplomuarit tanë punojnë pa përjetuar ndonjë konflikt të brendshëm për Kilin social-demokratik apo për Kilin fashist, për juntën apo republikën greke, për Spanjën e Frankos apo Spanjën republikane, për Kinën, për kuvajtianët apo izraelitët, për Amerikën, Anglinë, Indonezinë apo Pakistanin… Kjo përmbledh, edhe pse në mënyrë të ashpër, rolin historik të teknikëve të shkolluar, të atyre që janë ‘edukuar’ me indiferencën morale, etike dhe fetare të universitetit modern…” (Franklin H. Littell, cituar nga Bauman në “Moderniteti dhe Holokausti”, përkth.: Enis Sulstarova)

Po aty lexojmë: “Universitetet gjermane, sikurse edhe ata në vendet e tjera moderne, kultivuan me kujdes idealin e shkencës si një veprimtari e shpenguar nga vlerat; ata i dhanë vetes të drejtën dhe detyrën për t’i shërbyer “interesave të dijes” dhe për fshirë anash interesat e tjera me të cilat mund të binte ndesh mbarëvajtja e kërkimit shkencor.”

E pat parashiku edhe Dostojevski se çfarë realiteti fantazmagorik shkakton dija e zhveshur prej moralit, me nji personazh si Ivani te “Vëllezërit Karamazov”.

Nëse dija apo shkenca nuk shkojnë në mënyrë paralele me vetëdijen dhe përgjegjësinë morale; nëse kjo e fundit zëvendësohet me “përgjegjësinë teknike”, atëherë tragjedi si Holokausti, Srebrenica, Kosova dhe Gaza do të jenë gjithnjë të mundura, në çdo moment, të shkaktuara sidomos nga “dëshira moderne për një botë plotësisht të projektuar e të kontrolluar, mirëpo realizohet atëherë kur kjo dëshirë del jashtë kontrollit dhe nuk frenohet më”. (Bauman, po aty)

Natyrisht këtu nuk bahet fjalë vetëm për dëshirë, pasi është diçka ma shumë se kaq: është besimi dhe bindja e verbër që bota të jetë sipas nji vizioni të caktuar. Në rastin e gjenocidit që po ndodh në Gaza: që bota të jetë sipas vizionit të “racës së zgjedhur”, siç e kanë mbajtë veten hebrenjtë historikisht.

Bota ka vend për të gjithë, këtu qëndron nji prej kuptimeve themelore të saj. Nga botë mundet me u ba jetë vetëm për aq sa ka vend për të gjithë. Nuk i takon njeriut me vendosë për njeriun.

Kurani e shpreh kështu: “O njerëz, Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Nuk ka mëdyshje se më i nderuari ndër ju te Allahu është ai që përkushtohet më shumë.” (49:13)