Hajdari zgjedh të mbrohet në heshtje për rezervat shtetërore

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, është paraqitur për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës për rastin e rezervave shtetërore, por të hënën s’është deklaruar.

Prokuroria njoftoi për KOHËN se Hajdari shfrytëzoi të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, nën dyshiminse ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Pas interesimit të madh të mediave, Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, thuhet në njoftimin e Speciales.