Hakan Fidan pranon urime nga vende të ndryshme me rastin e emërimit ministër i Jashtëm i Turqisë

Hakan Fidan, i cili u emërua Ministër i Punëve të Jashtme në kabinetin e ri të shpalosur nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, ka marrë mesazhe urimi nga Azerbajxhani, Franca, Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC), Ukraina, Estonia dhe Suedia, transmeton Anadolu.

Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, e uroi Fidanin nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter, duke i uruar sukses në postin e tij të ri.

Bayramov tha se ka besim se marrëdhëniet vëllazërore dhe në nivel aleatësh midis Azerbajxhanit dhe Turqisë do të forcohen.

Në një postim tjetër, Bayramov falënderoi Mevlüt Çavuşoğlun, ministrin e deritanishëm të Punëve të Jashtme, duke i uruar suksese në aktivitetet e tij të ardhshme.

Ndërkaq, ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, publikoi një mesazh urimi turqisht në llogarinë e saj në Twitter.

“Urime, z. Hakan Fidan! Uroj të shihemi së shpejti për të vazhduar bashkëpunimin midis Francës dhe Turqisë, veçanërisht në fusha si paqja dhe stabiliteti rajonal, dialogu brenda NATO-s dhe problemet globale”, ka shkruar Colonna.

Ministri i Jashtëm i Qipros Turke, Tahsin Ertuğruloğlu, shkroi në Twitter: “I uroj suksese z.  Hakan Fidan, ministrit të Punëve të Jashtme të mëmëdheut, Turqisë, në detyrën e tij. Kam besim të plotë se do të vazhdojmë me vendosmëri në avancimin e çështjes sonë kombëtare. I uroj mbarësi ‘Shekullit të Turqisë’”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, gjithashtu e uroi homologun e ri turk në rrjetin social Twitter.

“Mezi presim të punojmë së bashku dhe të zhvillojmë më tej partneritetin strategjik midis dy vendeve mike”, ka shkruar ai.

Po ashtu, shefi i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, në një mesazh turqisht në llogarinë e tij në Telegram ka shkruar:

“Përgëzoj mikun tim të dashur dhe aleatin e madh të Ukrainës, Hakan Fidan, për emërimin e tij ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë. Jam mirënjohës për angazhimin tuaj për të sjellë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në rajonin tonë. Ju uroj forcë dhe suksese në punën tuaj për zhvillimin e vendit tuaj. Paçi fat në kryerjen e kësaj detyre të jashtëzakonshme”.

Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, në mesazhin e tij ka shkruar: “Turqia është aleati ynë dhe ne mezi presim të punojmë me ju”.

Edhe ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billström, në urimin e tij ka thënë se presin një bashkëpunim të mirë mes dy vendeve.

Ndryshe, presidenti turk Erdoğan sot zbuloi anëtarët e ri të kabinetit pasi më herët u betua në Asamblenë e Madhe Kombëtare (TBMM) dhe pas ceremonisë së inaugurimit në Kompleksin Presidencial në Ankara.

Para emërimit ministër i Jashtëm, Hakan Fidan ka shërbyer si shef i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës të Turqisë(MIT).