Lojërat gjeopolitike të Uashingtonit dhe Tel Avivit për kontrollin e burimeve dhe dobësimin e aleancave lindore
Nga Abdelkader Abderrahmane, Middle East Eye
Sulmi i përbashkët ndaj Iranit, ka nxitur një kaos që as Uashingtoni dhe as Tel Avivi nuk do të mund ta kontrollojnë. Duke sfiduar ligjin ndërkombëtar, të dy vendet pretendojnë se po veprojnë për të ndaluar programin bërthamor të Teheranit.
Megjithatë, ky pretekst bie poshtë përballë faktit se Irani ishte i gatshëm të pranonte kufizime drastike dhe mbikëqyrje të plotë nga agjencitë ndërkombëtare. Edhe rënia e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 erdhi pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-së në vitin 2018, një lëvizje e nxitur fort nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Ky veprim dëshmon, se qëllimi nuk ishte kurrë diplomacia, por eliminimi i një rivali rajonal që nuk pranon të jetë satelit i politikave perëndimore, ashtu siç ishte në kohën e Shahut. Rrënjët e këtij konflikti shtrihen tek ambicia e vjetër për hegjemoni. Që nga grushti i shtetit i vitit 1953 kundër Mohammad Mosaddegh, SHBA ka kërkuar një Iran të bindur.
Revolucioni i vitit 1979 përmbysi këtë status-quo, duke nxitur një kthesë drastike në politikën e jashtme iraniane e duke e shndërruar Teheranin në sfidën kryesore për interesat izraelito-amerikane. Përtej ideologjisë, kontrolli i rezervave të mëdha të naftës mbetet një nxitës kyç.
Duke zotëruar burimet e treta më të mëdha në botë, Irani është një objektiv strategjik. Vendosja e kontrollit mbi këto pasuri, do t’i mundësonte SHBA-së dhe Izraelit të goditnin ekonomikisht Kinën, e cila është blerësja kryesore e naftës iraniane.
Në lojën e madhe gjeopolitike, Irani shihet si “hallka më e dobët” e aleancës që përfshin Rusinë dhe Kinën. Duke mos guxuar të godasin drejtpërdrejt fuqitë e mëdha, SHBA dhe Izraeli shënjestrojnë Teheranin për të dobësuar këtë bosht trepalësh me një kosto më të ulët ushtarake, duke përdorur bashkëpunimin ushtarak Iran-Rusi si arsyetim shtesë.
Për Izraelin, ndryshimi i regjimit në Teheran është thelbësor për të mbetur superfuqia e vetme ushtarake në rajon. Ky plan synon t’i mbajë shtetet arabe të Gjirit nën ndikimin e tyre, por historia e Irakut tregon se ndërhyrje të tilla lënë pas vetëm plagë afatgjata dhe paqëndrueshmëri që zgjat me dekada.
Së fundmi, historia dëshmon se një qytetërim mijëravjeçar si Irani nuk i nënshtrohet lehtësisht presionit të jashtëm. Kjo strategji dritëshkurtër hakmarrjeje, rrezikon të prodhojë një kundërpërgjigje të dhimbshme, kostoja e së cilës do të paguhet nga brezat e ardhshëm në të gjithë Lindjen e Mesme. /tesheshi









