Një zyrtar i lartë i Hamasit deklaroi se bisedimet që po zhvillohen në Miami duhet të synojnë përfundimin e shkeljeve izraelite të armëpushimit në territoret palestineze.
Anëtari i byrosë politike të Hamasit, Basem Naim, i tha agjencisë AFP se populli palestinez pret që këto bisedime të çojnë në një marrëveshje që t’i japë fund shkeljeve të vazhdueshme izraelite dhe ta detyrojë Izraelin të respektojë marrëveshjen e Sharm el-Sheikhut.
Ai theksoi gjithashtu se diskutimet duhet të përqendrohen në rritjen e ndihmave humanitare dhe furnizimeve të nevojshme për rindërtimin e Gazës, si dhe në hapjen e pikëkalimit jugor të Rafahut në të dy drejtimet.
Sipas Naimit, bisedimet duhet të trajtojnë edhe mënyrën e zbatimit të pjesëve të mbetura të planit të propozuar nga administrata Trump, me synim arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm, nisjen e një procesi gjithëpërfshirës rindërtimi dhe hapjen e rrugës për një proces politik që u mundëson palestinezëve vetëqeverisjen dhe krijimin e një shteti plotësisht sovran dhe të pavarur.
Ndërkohë, kryeministri i Katarit paralajmëroi se shkeljet izraelite të armëpushimit po rrezikojnë gjithë marrëveshjen, duke kërkuar përparim urgjent drejt fazës së ardhshme të saj pas takimeve me zyrtarë amerikanë në Uashington. /mesazhi








