Hamasi: Izraeli po kryen krimet më të urryera kundër të burgosurve palestinezë

Hamasi tha se Izraeli po kryen “krimet më të urryera” kundër 9.500 të burgosurve palestinezë në burgjet e tij, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Hamasi me rastin e Ditës së të Burgosurve Palestinezë thuhet se “Administrata pushtuese e burgjeve vazhdon të kryejë krimet më të urryera kundër të burgosurve, përfshirë neglizhencën mjekësore, torturën dhe vrasjen e drejtpërdrejtë”.

Në deklaratë thuhet se 16 palestinezë kanë humbur jetën në burgje për shkak të krimeve të tmerrshme ndaj të burgosurve që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli nisi sulmet e tij në Gaza dhe se Izraeli ka përfituar nga këto sulme dhe ka kryer krimin e zhdukjes me forcë, ndalimin dhe torturimin e palestinezëve në Gaza.

Hamasi deklaroi se Izraeli kreu “krime lufte” kundër të burgosurve të Gazës. Në deklaratë thuhet se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të përfunduar marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve me Izraelin.

“Na vjen keq për heshtjen ndërkombëtare për torturat e vazhdueshme, vdekjen dhe ekzekutimet e të burgosurve në vendet e paraburgimit. Bëjmë thirrje për ndërhyrje për shpëtimin e tyre dhe lirimin e menjëhershëm. U bëjmë thirrje organizatave të të drejtave të njeriut dhe humanitare në mbarë botën që të ekspozojnë krimet e kryera nga pushtuesit kundër të burgosurve dhe të bëjnë presion mbi ta që të ndalojnë krimet e kryera kundër tyre dhe të gjykojnë autorët si kriminelë lufte në gjykatat ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Sipas Hamasit, në burgjet izraelite ka më shumë se 9 mijë palestinezë, përfshirë 3.660 të burgosur administrativë, 56 gazetarë, të paktën 80 gra dhe më shumë se 200 fëmijë.

Qeveria e Tel Avivit thotë se ka rreth 134 të burgosur izraelitë në Gaza ndërsa Hamasi njoftoi se 70 prej tyre u vranë në sulmet izraelite.