Haradinaj i kthen letër Kurtit: Ftesat tuaja janë shndërruar në një ritual lutjeje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka kthyer letrën kryeministrit Albin Kurti,  lidhur me bashkëpunimin e kërkuar për tejkalimin e krizës së pandemisë Covid-19.

Haradinaj ka thënë se nuk do të marrë pjesë në tryezën e cila pritet të organizohet nga Kurti,i cili u dërgoi letër të gjithë kryetarëve tërpartive në Kosovë dhe presidentit Hashim Thaçi.

“Ftesat tuaja për koordinim e bashkëveprim pas vendimeve të njëanshme që po rezultojnë të dëmshme e të dështuara, ju janë shndërruar në ritual lutje për falje dhe shpëtim. E dëshmove edhe në rastin kur hoqe taksën ndaj Serbisë pa asnjë nder e kundërvlerë, pa e përfshirë donacionin e djeshëm me 1000 teste serbe në formë lëmoshe, duke e nënçmuar Kosovën për paaftësi në raport me furnizimin e ligjshëm dhe të mundshëm në kohë përmes blerjeve të drejtpërdrejta apo donacioneve nga shtetet mike të vendit tonë”.

“Përderisa ftesta tuaja janë të vona në këtë kohë e në raport me zhvillimin dhe nuk janë të kualifikuara me legjitimitet institucional e politik, me kënaqësi ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë asnjëherë në tryezat e tilla”.

Haradinaj, në letrën e nisur sot, ia ka përmendur Kurtit refuzimin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për arsye të luftës politike të tij.

Ai ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme do të mobilizonte të gjitha resurset e vendit në shërbim të përballimit të krizës. Por sipas tij, Kurti ka ndjekur hapa të gabuar dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit në mënyrë recidive.

“Paraprakisht, ua bëjë me dije se, ne vazhdimisht kemi qenë të zëshëm dhe në përkrahje të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, dhe ishte befasuese qasja juaj paranoike, e nxitur nga lufta politike, e cila ka vënë në rrezik të plotë shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Gjendja e jashtëzakonshme do të mobilizonte të gjitha resurset e vendit, duke përfshirë kapacitetet e nevojshme njerëzore, ekspertizën gjithëpërfshirëse si dhe resurset relevante për menaxhimin e nevojshëm, efektiv dhe të suksesshëm ndaj pandemisë COVID-19. Për më tepër dhe si konfirmim i hapave tuaj të gabuar, kam shprehur mospajtimin tim me masat dhe vendimet tuaja për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe lirive tjera themelore të cilat edhe Gjykata Kushtetuese i gjeti si jokushtetuese”, ka shkruar Haradinaj.