Kurti: Përurimi i objektit të ri të ambasadës sonë në ShBA, dëshmi e fortë për aleancën tonë

Gjatë ditës së djeshme, është bërë përurimi i objektit të ri të Ambasadës së Kosovës në ShBA, i cili është blerë kohë më parë.

Në përurim morën pjesë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, si dhe ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli.

Ndërkaq sot, përmes një postimi në Facebook, kryeministri Albin Kurti iu gëzua këtij momenti, duke thënë se objekti i Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tash është pronë e Kosovës dhe shtëpi e përhershme e Republikës sonë atje.

“Me një arkitekturë moderne, karshi Katedrales Kombëtare të Washington-it të stilit neo-gotik anglez, ndërtesën e ambasadës sonë tani e gjeni në rrugën e Massachusetts, apo siç njihet ndryshe ‘Rruga e Ambasadave’”.

“Përurimi i saj në objektin e ri, mes miqsh, në prag të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, është simbolikë e thellë, dëshmi e fortë dhe festë për aleancën tonë”, deklaroi kryeministri Kurti.