Haradinaj: Ministrin Sefaj e shkarkova për shkak të dëmtimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka folur lidhur me shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi.

Haradinaj tha se vendimi për shkarkimin e Sefaj dhe Gashit ka ardhur si rezultat i dëmtimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale.

“Marrdhënia e krijuar institucionale në mes të kryetarit të Qeverisë dhe drejtorit të AKI-së dhe ministrit të Punëve të Brendshme, ministri Sefaj është dëmtuar, pra hierarkia institucionale për faktin, se unë zyrtarisht privatisht nuk e kam ditur për një zhvillim të tillë, pa hy në brendi pse është prishur kjo marrëdhënie, si ka ardhur deri tek kjo dhe si ka ardhur deri këtu, e megjithatë ju siguroj se që nga momenti i kësaj ngjarje më tutje kam vendosur një komunikim intensiv me gjithë vendimmarrësit në Kosovë, presidentin, me kryeparlamentarin, me zëvendëskryeministrat, me drejtorin e AKI-së, me ministrin e Punëve të Brendshme. Vendimi është marrë dhe kërkesa për t’u liruar nga përgjegjësitë për ministrin e Punëve të Brendshme nuk vjen si vlerësim i punëve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mendojmë që kemi pasur një koleg shumë korrekt, mirëpo dëmtimi i kësaj marrëdhënie ndërinstitucionale ka rezultuar me këtë kërkesë”, tha ai.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka siguruar qytetarët e vendit se asnjëherë nuk do të udhëhiqen nga ndonjë motiv tjetër përveç atij të ruajtjes së kredibilitetit të institucioneve të vendit.