Haradinaj: Nëse s’ka kontratë nga Serbia, s’ka as pezullim të taksës

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.

Haradinaj ka thënë se shpreson që sa më shpejt të anulohet taksa dhe të hyjë në fuqi marrëveshja për tregti të lirë me Serbinë, duke theksuar se për këtë duhet një marrëveshje që nënkupton njohjen e Kosovës.

“E kemi thënë disa herë se shpresojmë që sa më shpejt të anulohet taksa dhe të hyjë në fuqi marrëveshja për tregti të lirë me Serbi por për këtë duhet një marrëveshje që nënkupton njohjen e Kosovës dhe që nuk do të ketë një Republika Srpska në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri, raporton lajmi.net.

Ai ka shtuar se përderisa nuk ka kontratë në tavolinë atëherë nuk ka pse ta shqyrtojë pezullimin apo një vendim të caktuar për taksën.

“Janë dy gjëra, po mungon kontrata dhe është aspekti kohor. Jemi për me e zhvillu dialogun pa e përfshi taksën dhe për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por jo për një marrëveshje për ndryshim të kufijve”, ka thënë Haradinaj.