Haradinaj pas takimit me Hale: Kosova më e gatshme se kurrë të vazhdojë dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka dhënë detaje për takimin e mbajtur sot me Nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, njofton Klan Kosova.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj bëri me dije se ka ritheksuar se Kosova është gati per dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues.

Më poshtë statusi i tij i plotë:

Pata nderin që sot në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë Philip Kosnett së bashku me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli të zhvillojmë një takim të hapur dhe të sinqertë me Nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale.

Në këtë takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurr, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe me domethënës pas votimit të Platformës se Dialogut dhe Ligjit.

E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues.