Haradinaj pas takimit me zyrtarët amerikanë: Marrëveshja me Serbinë, vetëm në kufijtë aktualë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Erath dhe Brad Berkley, së bashku me presidentin Hashim Thaçi.

Haradinaj në takim ka theksuar se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.

“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai shtoi se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së tha se Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj, duke vlerësuar se Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me SHBA.