Haradinaj përsëri kundërshton SHBA-të: Taksa do të mbes në fuqi deri në njohjen nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përsëri këmbëngul në vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës prej 100 për qind. Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe gjatë ditës së sotme kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë taksën prej 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, mirëpo kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngul në vendimin për taksën, raporton lajmi.net. Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se taksa ndaj Serbisë do të vazhdojë deri në momentin kur Serbia ta njohë Kosovën. “Vendosja e taksës është vendim i Kosovës. Argumentet i kemi treguar. Kushtëzimi i dialogut është i papranueshëm. Nëse e kishim bo kushtëzime kishim kërku kërkim falje prej Serbisë dhe kthimin e personave të zhdukur… Taksa është deri në njohje dhe besoj se s’kemi më dilema, bile deri në njohje”, është shprehur Haradinaj në këtë konferencë, raporton më tutje lajmi.net. Edhe pse u pyet në lidhje me kërkesën e SHBA-së për pezullimin e taksës, Haradinaj ka thënë se qëllimi i Amerikës është edhe qëllimi i Kosovës, pra për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, është Serbia ajo e cila nuk dëshiron që të vazhdojë dialogun me Kosovën, pasi që siç u shpreh Haradinaj, është pala serbe ajo që e ka kushtëzuar këtë dialog. “Ne besojmë që ajo që është qëllimi i Amerikës është edhe qëllimi i yni, pra për kthimin e dialogut dhe jemi për kthimin e dialogut. Kosova asnjëherë nuk e ka kushtëzuar dialogun….. Unë mendoj që Beogradi nuk dëshiron dialog dhe po vendos kushte….Për neve është e papranueshme kushtëzimi i dialogut nga ana e Serbisë”, u shpreh Haradinaj.