Shkencëtarët e neuroshkencës kanë arritur të krijojnë hartën më të madhe dhe më të detajuar të trurit të gjitarëve në një arritje historike. Studiuesit kanë ndërtuar deri më tani skemën më të saktë të lidhjeve nervore në trurin e gjitarëve, duke hartëzuar qelizat në një milimetër kub të indit trunor të një miu. Në një arritje të veçantë, kjo hartë përshkruan gjithashtu aktivitetin e neuroneve individuale në shkallë të gjerë, një risi në fushën e neuroshkencës.
Ky segment përmban më shumë se 200,000 qeliza truri, prej të cilave rreth 82,000 janë neurone. Ai përfshin gjithashtu më shumë se 500 milionë pika lidhjeje nervore, të quajtura sinapse, si dhe mbi 4 kilometra lidhje nervore, të gjitha të përqendruara në një masë shumë të vogël indi në një zonë të trurit përgjegjëse për shikimin.
E vetmja hartë trunore me përmasa të ngjashme është ajo e një milimetri kub nga truri i njeriut, e cila përfshin 16,000 neurone dhe 150 milionë sinapse. Ndërkohë, harta e re ka regjistruar aktivitetin e dhjetëra mijëra neuroneve që dërgojnë sinjale dhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin për të përpunuar informacionin vizual.
Kjo hartë e aktivitetit trunor, së bashku me skemën e lidhjeve nervore, përbën një arritje të madhe në fushën e konektomikës, një disiplinë që synon të shpjegojë se si truri përpunon dhe organizon informacionin.
Pas këtij projekti të madh qëndrojnë më shumë se 150 studiues në projektin e inteligjencës artificiale të rrjeteve kortikale (MICrONS), të cilët e kanë përshkruar punën e tyre në një seri prej tetë artikujsh shkencorë të publikuar në revistat Nature dhe Nature Methods. Projekti MICrONS gjithashtu ka vënë në dispozicion burimet e tij për komunitetin e neuroshkencës përmes internetit.
Autor: Nasër Ahmed Sene
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com








